12 vite dështim përballë krimit, korrupsionit, haraçit e...!

  • 17 February 2020 - 07:59
12 vite dështim përballë krimit, korrupsionit, haraçit e...!

“Nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit, mekanizmat përgjegjëse për sundimin e rendit dhe ligjit janë të brishta, joprofesionale me mungesë guximi dhe patriotizmi funksional. Pasurimi i paligjshëm, krimi i pa zbuluar, krimi në institucionet që kanë për mision luftën e së keqes vetë lëngojnë nga e keqja”, thotë Preteni për “Kosova Sot Online”.

Republika e Kosovës më 17 shkurt e shënon 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke hyrë kështu në dekadën e dytë të shtet ndërtimit e pavarur dhe sovran.

Njohësit e këtij rrugëtimi 20 vjeçar të tranzicionit të pas luftës, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë së 17 shkurtit 2008, e shohin këtë rrugëtim me plotë sfida dhe të arritura, por edhe me dështime të theksuara përgjatë kësaj rruge.

Në këtë përvjetor të 12 të shtetit të pavarur të Kosovës, për “Kosova Sot Online” ka folur njohësi i së drejtës, ish eprori i lartë i UÇK-së dhe TMK-së, dhe më pastaj drejtues i Agjencionit Anti-Korrupsion të Kosovës, Hasan Preteni.

Sipas tij, për këto 12 vite, Kosova ka shënuar një progres të dukshëm në fillimin e ndërtimit të shtyllave kryesore të shtetit të ri, por ky progres nuk është për vetëkënaqësi dhe ajo që e kemi pritur të gjithë, sidomos qytetarët që ia besuan votën politikës për ta qeverisur vendin, dhe për t’i ndërtuar institucionet e shtetit më të ri në botë.

Image
Hasan Preteni

“Na befasoi liria, e pastaj na "befasoi" edhe shteti. Nuk e menaxhuam mirë as lirinë dhe as shtetin. Disi ndoshta të mësuar që të kemi në vazhdimësi tutor mbi kokë, në momentin e lirisë, nuk u rri rreshtuam si duhet. Gjërat e mira në këtë 12 vjetor janë se Kosova i ka të gjitha institucionet, e ka legjislacionin e nevojshëm, siguria është në nivelin e duhur, marrëdhëniet ndër etnike gjithashtu të mira, zgjedhjet e rregullta dhe demokratike, pranimi i rezultateve dhe bartje e detyrave pa probleme. Ka edhe shumë gjëra tjera pozitive, por jo ne nivelin e duhur dhe atë të dëshiruarin”, thotë Preteni për “Kosova Sot Online”.

Më tej, sipas Pretenit ajo që po i mungon tani shtetit të ri të Kosovës, është sundimi efikas i ligjit.

“Nuk kemi sundim të rendit dhe ligjit, mekanizmat përgjegjëse për sundimin e rendit dhe ligjit janë të brishta, joprofesionale me mungesë guximi dhe patriotizmi funksional. Pasurimi i paligjshëm, krimi i pa zbuluar, krimi në institucionet që kanë për mision luftën e së keqes vetë lëngojnë nga e keqja. Nëse nuk zbulohen rastet se kush kënd e vrau pas lufte, nëse nuk zbulohen hajnitë brenda policisë, nëse nuk përfundon askush në burg për vjedhjet enorme, nëse nuk ka përgjegjës për evazionin fiskal, nëse nuk ka konfiskim të pasurisë, nëse nuk është dënuar asnjë zyrtar i lartë, nëse nuk ka transparencë dhe llogaridhënie në asnjë nga institucionet e vendit, atëherë rezultati del se nuk ja kemi arritur të kemi shtet funksional dhe shtet që e kemi ëndërruar dhe për të cilin janë sakrifikuar gjenerata të tëra”, deklaron Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)