Jashari: Shpallja e pavarësisë ishte betejë e fituar me mund e sakrificë

  • 17 February 2020 - 12:17
Jashari: Shpallja e pavarësisë ishte betejë e fituar me mund e sakrificë

Kuvendi Komunal i Skenderajt ka mbajtur seancë solemne me rastin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008 ishte edhe një betejë më shumë e fituar me mund e sakrificë por lufta jonë ende nuk ka përfunduar.

“Tani kemi shumë punë që ta bëjmë shtetin të fortë ashtu siç e ëndërruan dhe e deshtën të parët tonë. Tani duhet të punojmë bashkërisht, përtej dallimeve tona ideologjike, politike e konceptuale në zhvillimin e vendit, fuqizimin e rendit e ligjit, arsimit, shëndetësisë e rinisë, luftimin e korrupsionit e nepotizmit, rritjen e punësimit dhe ndaljen e migrimit të të rinjve jashtë vendit”. 

“Sot patriotizëm është besimi në vlerat institucionale e demokratike, kujdesi për shtetin, për pronën publike, mjedisin, ruajtjen e vlerave tona tradicionale e historinë tonë të lavdishme. Sot, si çdo ditë tjetër, jam në shërbim të qytetarëve të komunës sonë, në shërbim të ngritjes së mirëqenies sociale, zhvillimit të arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës e bujqësisë si bazë e zhvillimit ekonomik e punësimit në komunën tonë”.

“Shteti ynë edhe pas 12 vite pavarësi po përballet me sfida të mëdha por të cilat mund t’i tejkalojmë vetëm të bashkuar e duke vënë interesin shtetëror para çdo interesi partiak e grupor”, tha ai.

(Kosova Sot Online)