Kurti para FSK-së thërret për unifikim të brendshëm e forcim nga jashtë

  • 17 February 2020 - 12:33
Kurti para FSK-së thërret për unifikim të brendshëm e forcim nga jashtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se do ta bëjnë shërbimin ushtarak të detyrueshëm sepse sipas tij, përvoja ushtarake nevojitet edhe në paqe.

Ai ka thënë se Kosova ka popull paqedashës i cili e ka mbrojtur lirinë e vet.

Kurti në fjalimin e parë drejtuar FSK-së që nga marrja e detyrës së kryeministrit ka shtuar se investimi në mbrojtje është i nevojshëm sepse ata që duan t’i bëjnë keq Kosovës ekzistojnë.

“Investimi në mbrojtje është një realitet në të cilin ekzistojmë. Është detyrë e jona ta forcojmë shtetin nga brenda e jashtë. Ne duhet të përballmi me kohen ashtu siç është, duke punuar ta bëjmë atë siç duam. E them këtë duke e ditur se në rajon paqja është brishtë. Askush as pas 20 vjetëve nuk e ka pranuar krimin e gjenocidin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk duhet të ketë udhëheqës shtetërorë e të flasin ndryshe nga njëri-tjetri në politikën e jashtme.

“Si përfaqësues të shtetit duhet të jemi unik në politikën e jashtme. Dallimet e brendshme duhet të mbeten brenda. Ne duhet ta forcojmë vendin edhe nga brenda edhe nga jashtë, prandaj investimet në ushtri janë të nevojshme. Përderisa forcojmë ushtrinë do të forcojmë edhe ekonominë. Pasuria nuk duhet të pasurojë politikanët po popullin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se pavarësia e liria nuk kanë kuptim pa drejtësi.

“Integrimi në Bashkimin Evropian është rrugë e gjatë dhe e mundimshme por është rrugë që na forcon. Atdheu është i yni, jemi në rrugë të drejtë sepse jemi në të drejtën tonë. Le t’ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit edhe të pajtimit edhe të bashkimit”, ka thënë ai.

Osmani në FSK: Do të punojmë që Kosovën ta bëjmë vend të sigurt

Ka nisur të mbahet ceremonia e 12 vjetorit të Pavarësisë në Kazermën “Adem Jashari”.

Të pranishëm në këtë ceremoni janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Kyeparlamentarja Vjosa Osmani, ka thënë kujtojnë me dhembje e krenari gjeneratat që u flijuan në Kosovë.

Ajo ka thënë se ushtria e Kosovës është produkt i luftës për liri. Sipas saj, të jesh ushtarak nuk është e lehtë.

“Ju keni sakrifikuar në momentin që keni vendosur ta veshni këtë uniformë. Nuk ka sakrificë më të madhe se të luftosh për vendin tënd. Të jeni krenar me vetën. Do të punojmë pa rreshtuar që ta bëjmë Kosovën vend të sigurt, të zhvilluar ekonomikisht”, ka thënë ajo.

Sipas saj, vendimi i ushtarëve për ta sakrifikuar vetën është i shenjtë.

“Vajzat dhe djemtë tanë janë të stërvitur për t’u përballur me çdo situatë”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se anëtarësimi në NATO mbetet synim i institucioneve të Kosovës.

(Kosova Sot Online)