Zbulohen shumat që dhanë Gjermania, Suedia e Italia për Shqipërinë pas tërmetit

  • 17 February 2020 - 16:47
Zbulohen shumat që dhanë Gjermania, Suedia e Italia për Shqipërinë pas tërmetit

Ambasada e Suedisë në Tiranë njofton se Suedia ka vendosur të dhurojë 5.6 milionë euro për Shqipërinë.

“Suedia po e mbështet Shqipërinë me 5.6 milion euro pas tërmetit. Sot Ministri ynë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim @petererikssonmp është në Bruksel, pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë. Shikoni videon e shkurtër për të mësuar më shumë rreth mbështetjes Suedeze”, shkruhet ne njoftim.

Gjermania do të angazhojë 11 milionë euro ndihmë financiare për rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.

Këtë e bëri të ditur sot Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.

“Tërmeti i rëndë i nëntorit, që goditi Shqipërinë, mori 51 jetë njerëzish dhe shkaktoi dëme serioze. Gjermania ofroi menjëherë ndihmën e saj nëpërmjet ekspertëve të Agjencisë të Asistencës Teknike.

Por tani bëhet fjalë për rindërtimin. Qytetarët në zonat e prekura kanë nevojë për banesa, shkolla dhe kopshte.

Gjermania vë në dispozicion për këtë 11 milionë euro. Është një dëshmi e fortë e solidaritetit të BE-së me Shqipërinë fakti që Komisioni Evropian po koordinon asistencën ndërkombëtare të emergjencës dhe ka thirrur për këtë qëllim konferencën e sotme të donatorëve”, deklaroi Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas.

Nërkohë shteti fqinjë Itali, ka dhuruar një shumë të konsiderueshme, 68 milion euro, që do të shkojnë për procesin e rindërtimit.

“Italia ishte nga shtetet e para që ndërhyri në mbështetje të popullsisë. Ne e dimë ç’do të thotë të pësosh fatkeqësi natyrore, ndaj dhe ne që në orët e para aktivizuam mbrojtjen civile. Vetëm 4 ditë më pas, dërguam 450 njësi në Shqipëri. Kemi dhuruar ndihmë materiale emergjence, tenda, pajisje, gjeneratorë dhe një tendë të madhe për punëtorët. Pra, ne i dhamë solidaritetin tonë popullit shqiptar.

Kjo ndihmë do të pasohet nga një mbështetje e konsiderueshme për rindërtim. Kjo ka të bëjë me kthimin e popullit shqiptar në kthimin dhe ëndrrat e tyre. Italia nga ana e saj është gati të bëjë atë që i takon, ne jemi në anën e Shqipërisë. 65 milionë euro, do të përdorim edhe 21 milionë euro, kemi alokuar 5 milionë euro për projektet e zhvillimit në këtë vit”, tha ministri italian.

(Kosova Sot Online)