Flet profesori i së drejtës: Kështu fillohet ç’kapja e drejtësisë nga politika e inkriminuar

  • 17 February 2020 - 19:25
 Flet profesori i së drejtës: Kështu fillohet ç’kapja e drejtësisë nga politika e inkriminuar

“Nisja e hetimeve, të mënyrave të zgjedhjeve të noterëve është proces i qëlluar por nuk do të duhej të kufizohej vetëm në atë sferë të Sistemit të Drejtësisë. Është nevojë imediate që hetime të tilla të adresoheshin edhe përkitazi me zgjedhjet të jo pak funksionarëve të po atij Sistemi. Veçanërisht do të duhej të bëhej rishikim kritik i zgjedhjeve e emërimeve të funksionarëve të Sistemit të Drejtësisë në funksione drejtuese”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”.

Image
Riza Smaka

Profesori i së drejtës, Riza Smaka e konsideron një kontribut pozitiv në fillet e dekriminalizimit në sistemin e drejtësisë, procesin e filluar së fundi për hetimin e skandalit me noterët që u zgjodhën në fazën e fundit të mandatit të qeverisë së koalicionit PAN, madje edhe sa ishte qeveria në detyrë.

Janë mbushur më shumë se tetë muaj prej kur janë ngritur dyshime për parregullsi, dhe tek së fundi është raportuar se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet preliminare për procesin e përzgjedhjes së noterëve. 

Këtë angazhim serioz hetimor e ka konfirmuar vetë prokurori special, Haki Leci, i cili ka thënë se e ka autorizuar Policinë e Kosovës që të fillojë me mbledhjen e informatave. 

Sikur që dihet, procesi i emërimit të noterëve është pezulluar pas reagimeve të shumta nga organizatat e shoqërisë civile dhe ambasadat e huaja, për ndikimin e thellë të politikës në këtë proces, kryesisht nga radhët e PDK-së, gjatë mandatit të Ish-ministrit të drejtësisë Abelard Tahirit.

E për këtë zhvillim të ri rreth kësaj afere, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori i së drejtës Riza Smaka, sipas të cilit ky hetim është një nismë e domosdoshme dhe shumë e qëlluar e për tu vlerësuar.

“Nisja e hetimeve, të mënyrave të zgjedhjeve të noterëve është proces i qëlluar por nuk do të duhej të kufizohej vetëm në atë sferë të Sistemit të Drejtësisë. Është nevojë imediate që hetime të tilla të adresoheshin edhe përkitazi me zgjedhjet të jo pak funksionarëve të po atij Sistemi. Veçanërisht do të duhej të bëhej rishikim kritik i zgjedhjeve e emërimeve të funksionarëve të Sistemit të Drejtësisë në funksione drejtuese”, thotë profesori i njohur i së drejtës Riza Smaka për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Smakës, hetimet do të duhej zhvilluar jo vetëm për procedurat e zgjedhjeve dhe të emërimeve, por edhe për cilësinë dhe profesionalizimin në punë e të gjithë atyre.

“Për të pasur argumente të mjaftueshme për revokim apo edhe për shkarkim sipas procedurave dhe ligjit. Hetimet do të duhej të shtriheshin edhe përkitazi me performansat, cilësitë e sasitë e punëve të kryera përgjatë periudhave raportuese e rrjedhimisht të ndërmerreshin edhe masa ligjore”, përfundon profesori i së drejtës, doktor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)