12 vitet e dështuara të Kosovës, kjo është shpresa e ndryshimit

  • 18 February 2020 - 07:31
12 vitet e dështuara të Kosovës, kjo është shpresa e ndryshimit

“Populli gjithsesi, është lodhur shumë nga këto parregullsi, saqë është humbur edhe optimizmi i fundit për të jetuar edhe më tej në Kosovën tonë të dashur. Megjithatë, tani me zgjedhjen e qeverisë së re, qytetarëve sikur iu është shtuar optimizmi për një jetë më të mirë. Ndaj, kjo qeveri, kam bindjen se do të angazhohet , që Kosovën ta vënë në binarët e realiteti dhe të ligjshmërisë. Këtë po e presin qytetarët, dhe kam përshtypjen reale se me këtë qeveri, do të këtë kthesa pozitive, për shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e saj”, thotë Aliu për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Bislim Aliu e konsideron si të dështuar më shumë se një dekadë të kaluar pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Analisti Aliu konsideron se ndryshimet e mëdha në qeverisjen e vendit që ndodhën me zgjedhjet e vitit të kaluar, japin një shpresë të re për qytetarët e Kosovës, prandaj mbetet të shihet e të testohet edhe kjo periudhë e re kohore që kemi përpara.

Image
Bislim Aliu

“Kosova jonë e dashur, po e feston ditëlindjen e 12-të, me një optimizëm të shtuar. Zaten këto 12 vite të shtetësisë së Kosovës, ishin pa dyshim, dështim, korruptim dhe kriminalizim të institucioneve! Kjo është e vërteta për Kosovë, sado që është e dhembshme për çdo qytetar të saj. Kjo, pa dyshim, është shumë larg, pritjeve të qindra mijëra të qytetarëve, që sot, në këtë përvjetor, në vend se ta presin të gëzuar dhe të lumtur, ata me hidhërim dhe me dëshpërim, mezi po presin që t'ju jepet mundësia, për ta braktisur Kosovën. Kjo pa dyshim, është e dhembshme dhe gjithsesi, shumë e dhembshme për Kosovën. Ndaj, për këto 12 vjet të shtetësisë, qytetarët me dhembshuri, përjetuan; krimin e organizuar, korrupsionin e pandalshëm dhe paligjshmëri e shumta”, thotë analisti politik, Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Qeverisjet e kaluara, sipas Aliut ishin të lidhura tepër ngushtë me krimin, prandaj edhe kanë sjell zhgënjim, dështim dhe demoralizim të madh te qytetarët, që nuk po e presin me entuziazëm të madh edhe këtë përvjetor të pavarësisë.

“Zaten, kjo paligjshmëri dhe papunësi, dendur po vërehet, në arsim, shëndetësi, kaos në administratën publike, tenderomani, degradim në ambasada, shitje të lejeve ndërtimore nëpër komuna, skandale seksuale, e shumë e shumë parregullsi të tjera! Populli gjithsesi, është lodhur shumë nga këto parregullsi, saqë është humbur edhe optimizmi i fundit për të jetuar edhe më tej në Kosovën tonë të dashur. Megjithatë, tani me zgjedhjen e qeverisë së re, qytetarëve sikur iu është shtuar optimizmi për një jetë më të mirë. Ndaj, kjo qeveri, kam bindjen se do të angazhohet , që Kosovën ta vënë në binarët e realiteti dhe të ligjshmërisë. Këtë po e presin qytetarët, dhe kam përshtypjen reale se me këtë qeveri, do të këtë kthesa pozitive, për shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e saj”, deklaron analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)