“Do shkoja për shoping dhe…”, dëshmia e 20 vjeçares që u kap me 12 mijë euro në aeroport

  • 18 February 2020 - 10:59
“Do shkoja për shoping dhe…”, dëshmia e 20 vjeçares që u kap me 12 mijë euro në aeroport

Një vajzë 20-vjeçare është proceduar penalisht për “Mosdeklarim të vlerave monetare në kufi”, pasi gjatë kontrollit i janë gjetur me vete një shumë parash prej mbi 12 mijë eurosh.

Burime nga Policia Kufitare thanë dje se gjatë marrjes në pyetje, pasi i janë zbuluar paratë që kishte me vete, vajza ka deklaruar se nuk kishte dijeni se sa ishte shuma që lejohej pa e deklaruar.

Ndërsa është shprehur se po udhëtonte jashtë vendit për të bërë shoping dhe kjo ishte arsyeja pse kishte një shumë të tillë parash me vete. “Policia Kufitare e Rinasit parandalon një tjetër rast të transfertës së parave jashtë shtetit, në mënyrë të kundërligjshme. Sekuestrohen 12450 euro, procedohet penalisht një 20-vjeçare”, tha dje Policia. 

Mësohet se shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit në dalje, si rezultat i masave shtesë qoftë në intervistimin për arsyen e udhëtimit apo edhe për kontrollin fizik dhe të bagazheve, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, gjatë kontrolleve të ushtruara kanë përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë 20-vjeçaren I. K., banuese në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shtetases së lartpërmendur iu gjetën në çantë 12450 euro, të padeklaruara në doganë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Policisë Kufitare në Rinas, materialet në ngarkim të kësaj shtetaseje i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarim i vlerave monetare në kufi”.

(Kosova Sot Online)