Gashi i LDK-së: Reciprociteti është përgjigjje ndaj Serbisë

  • 18 shkurt 2020 - 15:56
Gashi i LDK-së: Reciprociteti është përgjigjje ndaj Serbisë

Shefi i grupit parlamentar të LDK’së,  Arben Gashi ka përsëritur sot se do të hiqet tarifa e vënë ndaj Serbisë dhe Bosnjës, e se e njëjta do të zëvendësohet me reciprocitet.

Gashi ka shkruar në Facebook se reciprociteti nuk është veprim aktiv por reaktiv, si një përgjigje ndaj veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës.

Ai thotë se nëse Serbia nuk do të vendosë barriera ndaj Kosovës, as Prishtina zyrtare nuk do të vepronte njëjtë.

“Reciprociteti në marrëdhënie bilaterale me Serbinë është minimumi i dinjitetit shtetëror për të cilin Kosova do të insistojë. Kështu, ne do të përmbushim një zotim tonin parazgjedhor por edhe do të respektojmë një kërkesë eksplicite të aleatëve tanë perëndimorë, me theks të veçantë të SHBA’së, si parakusht që ajo të fasilitojë dialogun.

Dialogu që rezulton me njohjen e ndërsjellë mes të dy vendeve, mbi të gjitha është interes i Kosovës, dhe ne jemi të përkushtuar që ky proces të përfundoj sa më shpejtë. Por, kjo nevojë nuk nënkupton që duhet të ngutemi e të përfundojmë me zgjidhje të keqe të çështjes. Ashtu siç e ka thënë edhe Qeveria, si bartëse e këtij procesi, dialogu duhet të ndërtohet mbi disa parime të pajtuara, për të cilat ne si Kuvend, Qeveria, opozita, por edhe shoqëria civile dhe akademia, duhet të pajtohemi”, ka thënë ai.

Gashi ka përsëritur se nuk diskutohet për kufijtë e Kosovës si dhe nuk diskutohet rendi kushtetues i Kosovës.

“Duke hequr tarifën tregtare dhe vendosur reciprocitetin, ne, dëshmojmë se jemi partner serioz në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe i japim shansin e kërkuar dialogut me fqinjin tonë verior”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)