Zyrtarja policore që dyshohet se vrau prindërit, vëllezërit dhe veten ishte police që 18 vjet

  • 18 February 2020 - 16:03
Zyrtarja policore që dyshohet se vrau prindërit, vëllezërit dhe veten ishte police që 18 vjet

Zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes dhe veten, ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që 18 vjet.

Media merr vesh se fillimisht Bllaca ka punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh është transferuar në Gjilan.

“Valdetja është që 18 vite police. Fillimisht ka punuar në Prishtinë për disa vite, në Qendrën e Thirrjeve. Është transferuar në Gjilan para rreth pesë vitesh”, ka thënë një zyrtar policor.

Ndryshe, në vendin e ngjarjes përvec policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.

Për pak minuta pritet të bëhet edhe tërheqja e pesë trupave.

Rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit përmes një komunikate drejtuar medieve.

“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’ në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në komunikatën e prokurorisë.


(Kosova Sot Online)