Krejt çka dihet deri më tani për vrasjet që tronditën Gjilanin

  • 18 February 2020 - 16:46
Krejt çka dihet deri më tani për vrasjet që tronditën Gjilanin

Pesë trupa të pajetë u gjetën pasditen e së martës në një shtëpi në Gjilan. Sipas dyshimeve të para nga vendngjarja, Valdete Bllaca, zyrtare e Policisë së Kosovës, ka shtënë me armë zjarri drejt prindërve dhe dy vëllezërve të saj. Deri më tani janë dhënë dy versione për vrasjet, një nga fqinjët e një nga organet kompetente. Ndërkaq, ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar deri te vrasja e katërfishtë e më pas vetëvrasja në familjen Bllaca

Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e lagjes “Bujanina” të Gjilanit, pasditen e së martës.

Policia është njoftuar për të shtëna me armë zjarri, ndërkaq me të arritur në vendngjarje, kanë kuptuar se bëhet fjalë për vrasje të rëndë.

Pesë trupa të pajetë u gjetën në shtëpinë e familjes Bllaca. Një armë zjarri u gjet në dorën e Valdete Bllacës, e cila sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka vrarë nënën Hanifen, babain Zeqirin, dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun, e më pas edhe veten.

Në një konferencë për media ku u deklaruan zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës,  u tha se dyshohet se zyrtarja policore ka kryer vrasjen me revolen e saj zyrtare të policisë.

Sipas tyre, arsyet që kanë çuar deri te kjo tragjedi ende nuk janë të njohura.

Zyrtarja policore, Valdete Bllaca, e cila dyshohet se vrau katër anëtarët e familjes dhe veten, ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës që 18 vjet.

Media merr vesh se fillimisht Bllaca ka punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh është transferuar në Gjilan.

“Valdetja është që 18 vite police. Fillimisht ka punuar në Prishtinë për disa vite, në Qendrën e Thirrjeve. Është transferuar në Gjilan para rreth pesë vitesh”, ka thënë një zyrtar policor.

Ndryshe, në vendin e ngjarjes përveç policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.

Prokuroria hedh poshtë një version të ri që po qarkullon rreth vrasjeve të sotme në Gjilan

Fqinjë të familjes Bllaca kanë thënë se ishte djali i madh Blerimi ai që kishte shtënë drejt prindërve dhe vëllait Fisnikut.

Dëshmitarët kanë deklaruar se para orës 13:00 e kanë parë Valdeten duke shkuar në shtëpinë e familjes së saj. Sipas tyre, ajo e kishte vrarë më pas vëllain Blerimin dhe në fund kishte bërë vetëvrasje.

Por, këtë version të fqinjëve të familjes Bllaca po e hedh poshtë Prokuroria.

“Për momentin nuk ka asnjë provë që është përdorur revole tjetër. Arma i është gjetur polices”, ka thënë  zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.

Kjo është policja që vrau 4 familjarët dhe veten në Gjilan

Sipas të dhënave të deritanishme nga Prokuroria dhe Policia e Gjilanit, 45-vjeçarja Valdete Bllaca ka vrarë katër familjarët e saj, e më pas edhe veten.

Tragjedia në Gjilan: Këta janë emrat e të vrarëve

Fqinjët e kësaj familjeje kanë thënë se asnjëri nga fëmijët e çiftit Bllaca nuk kanë qenë të martuar.

Ata kanë treguar se viktimat janë: Zeqir Bllaca (babai), Hanife Bllaca (nëna), Blerim dhe Fisnik Bllaca (vëllezërit).

Image
Image
Image

(Kosova Sot Online)