Dekretohen emrat e deputetëve të rinj, betimi i tyre pritet në seancën e radhës

  • 18 February 2020 - 20:05
Dekretohen emrat e deputetëve të rinj, betimi i tyre pritet në seancën e radhës

Vendet e zbrazëta të deputetëve të cilët u bënë pjesë e kabinetit qeveritar, në fillim të muajit shkurt, pritet të plotësohen së shpejti.

E gjithë kjo, pas hapjes së rrugës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që të bëhet betimi i tyre, pas zëvendësimit të bërë nga Komisioni Qendror Zgjedhor, raporton ktv.

Nga Zyra e presidentit kanë konfirmuar  se të martën kanë dërguar në Kuvend dekretin e emrave të deputetëve të rinj.

“Presidenti i Kosovës, në përputhje me detyrat e tij kushtetuese e ligjore, ka dërguar në Kuvend gjatë ditës emrat e deputetëve, të cilët janë zëvendësuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, ka thënë kjo Zyrë.

E në pritje të tij, ka qenë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, më 7 shkurt, ka miratuar rekomandimin e presidentit, lidhur me kandidatët e radhës që zëvendësojnë deputetët që janë bërë ministra.

E kjo çështje është dërguar në Gjykatë nga kandidatja për deputete e Vetëvendosjes, Tinka Kurti.

Ajo ka kërkuar interpretim të Gjykatës për dispozitat e Ligjit për Zgjedhjet, sepse megjithëse ka marrë më shumë vota se dy kandidatët e tjerë burra, nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës, sepse ligji parasheh që zëvendësimi të bëhet vetëm bazuar në gjininë e njëjtë.

“Nuk mund të lejohet diskriminimi i institucionalizuar me ligj”, ka shkruar Kurti në Facebook.

(Kosova Sot Online)