Podujeva, ‘beteja’ e parë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së

  • 19 February 2020 - 07:44
Podujeva, ‘beteja’ e parë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së

“Është e vërtetë që Podujeva, pritet të jetë arena e parë ku do të ndeshën dy partnerët e koalicionit qeverisës, LDK-ja dhe LVV, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri, duke i bërë një vlerësim të thellë gjendjes në teren, dhe kandidatëve për kryetar të komunës së Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme të muajit mars, beson që LDK-ja përsëri do të arrijë ta mbaj këtë bastion ndër më të sigurtit deri më tani në nivel vendi.

Haziri thotë se zgjedhjet në Podujevë, do të jetë beteja e parë mes partnerëve që janë në koalicion qeverisës, Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Image
Nexhat Haziri

“Është e vërtetë që Podujeva, pritet të jetë arena e parë ku do të ndeshën dy partnerët e koalicionit qeverisës, LDK-ja dhe LVV, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës. Podujeva tradicionalisht ka votuar për LDK-në dhe ka mbetur një nga bastionet e pakta të LDK-së, dhe pres që edhe kësaj radhe LDK-ja ta vazhdoj qeverisjen në këtë komunë. E konsideroj kështu të ardhmen e qeverisjes në Podujevë pasi ka edhe një kandidat të pranueshëm për elektoratin llapjan siç është Nexhmi Rudari. Gara megjithatë do të jetë interesante, por pa ndonjë befasi dhe po ashtu nuk pres që ky proces zgjedhor në komunën e Podujevës të ketë impakt në raportet në mes dy partnerëve të koalicionit LVV-së dhe LDK-së”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, për LDK-në nuk mundë të ketë alternativë tjetër veç ruajtjes së fitore në këtë Komunë, sepse nga kjo fitore varet edhe karriera politike e Agim Veliut si kryetar dege dhe nënkryetar i LDK-së në të ardhmen.

“Duhet të shtoj se kjo fitore e LDK-së në Podujevë do të jetë shumë e rëndësishme për ish-kryetarin Agim Veliun i cili u dorëhoq nga kjo pozitë për të marrë postin e ministrit të Punëve të Brendshme , që do ta përdor si një “levë” në ambicien e tij për ta marrë kreun e LDK-së. Ndërsa LVV-ja, do të ketë që në fillim një hedikep pasi kandidati i tyre, Shpejtim Bulliqi ish-deputeti i LDK-së, tash i LVV-së që njihet për kundërshtimin e procesit të demarkacionit me Malin e Zi, por që asnjëherë nuk arriti t’i argumentonte këtë kundërshtime, as atëherë kur u pagua mirë nga ish-kryeministri Haradinaj në të ashtuquajturin komision për përmirësim të demarkacionit, pasi la LDK-në kaloi në AAK dhe krejt në fund gjeti strehë në LVV, një lëvizje kjo që për elektoratin llapjan nuk është e shumë e pranueshme”, deklaron analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)