PAN’i si bllok opozitar, po mbledhin nënshkrime për seancë kundër heqjes së taksës

  • 19 shkurt 2020 - 11:10
PAN’i si bllok opozitar, po mbledhin nënshkrime për seancë kundër heqjes së taksës

Një dakordim ka ndodhur në mes të partive opozitare që e përbëjnë ish-bllokun PAN, i pari pas krijimit të Qeverisë në krye me Albin Kurtin. Për media deputetë të opozitës kanë konfirmuar se janë në përfundim të mbledhjes së nënshkrimeve për të thirrur seancën e jashtëzakonshme si kundërshti për heqjen e taksës 100 për qind.

Derisa kryeministri Albin Kurti e Isa Mustafa, lider i LDK-së, do të shihen këto ditë për të folur lidhur me hapat që do të ndërmarrin për të hequr taksën dhe se si do të vazhdohet me reciprocitet, të heshtura nuk kanë qëndruar as partitë e opozitës.

Mirëpo, për dallim nga partitë që përbëjnë koalicionin qeverisës, opozita është duke kundërshtuar heqjen e tarifës, e për këtë kanë paralajmëruar edhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Nga partia e Ramush Haradinajt, që nuk po pajtohen me idenë për heqjen e masës 100 për qind kanë konfirmuar se janë në përfundim të mbledhjes së nënshkrimeve, e që janë takuar edhe me zyrtarë të PDK-së, e koalicionit NISMA-AKR. 

“Kemi filluar procedurën e mbledhjes së nënshkrimeve, jemi para përfundimit. Jemi duke bashkëpunuar me të gjitha partitë opozitare. Tash jemi në përfundim, tri partitë opozitare”, ka thënë deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu.

Se i kanë dhënë nënshkrimet për thirrje të seancës së jashtëzakonshme, kanë deklaruar edhe nga koalicioni NISMA – AKR.

“Po edhe grupi parlamentar i Nismës i ka dhënë nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, jemi takuar para dy ditësh”, ka thënë shefi i grupit parlamentar të Nismës, Haxhi Shala.

Nga PDK-ja, ndërkaq burime brenda partisë kanë deklaruar se disa prej deputetëve tashmë i kanë dhënë nënshkrimet, mirëpo, për të thirrur seancën duhet që këtë të bëjnë edhe zyrtarët tjerë të kësaj partie.

Ky do të jetë edhe bashkimi i parë i PAN’it tash në opozitë kundër koalicionit qeverisës aktual LV – LDK.

Këto parti politike kanë paralajmëruar se pos seancës nuk do t’i ndalin edhe mënyrat tjera të kundërshtimit kundër heqjes së taksës, e madje edhe nëse ndalet projekti për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se taksa do të hiqet, sapo të zbatohet reciprociteti i plotë, ekonomik, politik dhe tregëtar me shtetin serb.

(Kosova Sot Online)