Detaje të reja: S’i la të hynin brenda tezen me bashkëshortin, fjalët dhe lëvizjet e fundit të polices pasi i vrau familjarët

  • 19 February 2020 - 11:29
Detaje të reja: S’i la të hynin brenda tezen me bashkëshortin, fjalët dhe lëvizjet e fundit të polices pasi i vrau familjarët

Intriguese dhe dramatike ishin lëvizjet dhe sjelljet e fundit të polices Valdete Bllaca përpara se ta vriste babain, nënën, dy vëllezërit e më pas edhe veten, mesditën e djeshme.

Media mëson nga burime të afërta me familjen e polices se personat e fundit që ajo i kishte kontaktuar ishin tezja dhe bashkëshorti i saj. Kontakti me ta kishte ndodhur vetëm disa minuta përpara se ajo ta shkrepte armën drejt vetes, në fund të një vrasjeje të katërfishtë.

Tezja me bashkëshortin e saj, në ditën tragjike kishin shkuar për vizitë te familja Bllaca, mirëpo te dera i kishte pritur Valdete Bllaca për të mos i lënë të hynin brenda. E shqetësuar, Valdete Bllaca mësohet se u kishte thënë atyre se ata (familja) nuk janë aty dhe se ajo ishte e zënë. 

Pasi ishin përshëndetur me policen dhe kishin vendosur të largoheshin nga aty, tezja dhe bashkëshorti i saj dëgjuan krismat e dy plumbave që Valdete Bllaca i shkrepi drejt vetes.

Dje, media raportoi për skenarin e tmerrshëm që e kishte përgatitur policja Valdete Bllaca. Bazuar në burime të sigurta, policja dyshohet se i ka qëlluar viktimat me nga dy plumba në kokë. Burimet e njëjta kanë bërë të ditur se vëllau i madh, Fisnik Bllaca u qëllua për vdekje nga e motra, derisa ishte duke fjetur në dhomën e tij të gjumit. Babain, Zeqir Bllaca dhe vëllain Blerim Bllaca i kishte vrarë në dhomën e ndejës, ndërsa nënën Hanife Bllaca e qëlloi për vdekje në një dhomë tjetër.

Pasi që vrau të gjithë anëtarët e familjes, policja Valdete Bllaca bëri vetëvrasje në koridorin e shtëpisë së saj.

(Kosova Sot Online)