Kriza për ujë të pijshëm, kosovarët kanë 47 milionë euro borxhe

  • 19 February 2020 - 13:34
Kriza për ujë të pijshëm, kosovarët kanë 47 milionë euro borxhe

Mungesa e reshjeve atmosferike, për disa rajone të Kosovës si Prishtina me rrethinë dhe Gjilani, nga organet kompetente, po paralajmërohet se do të sjellë si pasojë mungesën e ujit të pijshëm.

Krahas shterjes së burimeve të ujit të pijshëm, një problem tjetër që e bën gjendjen edhe më të rëndë, konsiderohet të jetë mospagesa e borxheve nga qytetarët për ujin që konsumojnë.

Vetëm qytetarët e Prishtinës me vendbanimet përreth, i kanë borxh Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, rreth 47 milionë euro.

Borxhi i grumbulluar, sipas kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Ilir Abdullahu, ka bërë që të mendojnë për ç’kyçje të konsumatorëve nga rrjeti i furnizimit me ujë, ndonëse ende nuk ka një vendim të prerë.

Ndonëse rezervat e ujit, sipas ujësjellësit po zvogëlohen, aktualisht qytetarët e Prishtinës me rrethinë furnizohen me ujë të pijes 24 orë në ditë.

Labinot Rexha, një qytetar i Prishtinës, i cili jeton në një banesë kolektive me katër anëtarë të tjerë të familjes, tha se nuk është pagues i rregullt i ujit. Ai tregon arsyet pse nuk e paguan ujin të cilin e shpenzon.

“Të gjithë e dimë që pa ujë s’ka jetë, por unë nuk e paguaj për arsye se asnjëherë, pra asnjë muaj, nuk më vjen çmimi i njëjtë. Kam qenë në kompaninë e Ujësjellësit ‘Prishtina’ dhe më kanë thënë se duhet ta montojë një orë vetëm për vete, në mënyrë që të dihet saktë se sa shpenzoj”, tha ai.

“Atë (orën e ujit) duhet ta paguaj unë vet, kushton diku rreth 50 euro dhe nuk po kam mundësi, pasi jetojmë vetëm me një pagë, e jemi pesë anëtarë të familjes. Pra, unë nuk mund ta paguaj ujin, aq sa nuk shpenzoj. Ka raste kur për një muaj më vjen fatura deri në 30 euro. Kjo është e papërballueshme, por është edhe paushall, pra nuk është matje reale sepse unë nuk jam kompani apo autolarje të shpenzoj aq shumë ujë”, tha ai.

Në anën tjetër, kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, konfirmon se po përballet me vështirësi, pasi niveli i ujit në liqenet akumuluese, atij të Batllavës dhe Badovcit prej nga furnizohen më shumë se 140 mijë qytetarë me ujë të pijes, ka rënë minus dhjetë metra, si pasojë e mungesës së reshjeve atmosferike.

Kryeshefi ekzekutiv i ujësjellësit, Ilir Abdullahu thotë se kur reshjet mungojnë, niveli i ujit bie pasi që liqenet e Batllavës dhe Badovcit janë rezervuarë apo liqene artificiale, që janë të ndërtuar në pellgje dhe varen nga akumulimi i reshjeve të shiut dhe borës. 

(Kosova Sot Online)