Aksident mes dy aeroplanëve të vegjël në Australi, katër të vdekur

  • 19 February 2020 - 14:16
Aksident mes dy aeroplanëve të vegjël në Australi, katër të vdekur

Katër persona kanë vdekur pasi dy aeroplanë të vegjël u përplasën mes vete në ajër në rajonin Victoria të Australisë.

Aksidenti mes aeroplanëve me dy motorë ndodhi afër aeroportit Mangalore, në pjesën veriore të qytetit Melbourne.

Një zëdhënës i policisë tha se ekziston mundësia që pilotët të mos kenë pasur mundësi ta shohin aeroplanin e njëri-tjetrit për shkak të reve të dendura.

Autoritetet njoftuan se në secilin aeroplan ndodheshin nga dy persona dhe aeroplanët e kishin nisur fluturimin nga dy aeroporte të ndryshme.

Besohet se ky është aksidenti i parë ajror në Australi në më shumë se një dekadë, shkruan “BBC”.

“Ne nuk jemi të sigurt pse të dy aeroplanët ndodheshin në të njëjtën trajektore ose pse ishin në atë zonë, por fatkeqësisht ata janë ndeshur në ajër”, tha zyrtari policor, Peter Koger.

Një zëdhënës i Autoritetit për Sigurinë e Aviacionit Civil tha se ky aksident ndodhi në lartësi prej 1219 metrave nga toka.

(Kosova Sot Online)