“Kthimi në pikën zero”, ja kërkesa urgjente për Ministrinë e Drejtësisë

  • 20 February 2020 - 07:44
“Kthimi në pikën zero”, ja kërkesa urgjente për Ministrinë e Drejtësisë

“Më e mira dhe më e sakta do të ishte kthimi i procesit te emërimit të notereve që nga fillimi, në mënyrë që kandidatët t'i nënshtrohen një vlerësimi ashtu sikurse po bëjnë organet e Vetting-ut në Shqipëri, duke shqyrtuar deklarimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale. Pra nuk duhet të lejohet ngritja dhe funksionimi i kompromentuar i noterisë, pasi pastaj do të jetë shumë vështirë për ta ndrequr atë. Punët jo të mira dhe ngritja e godinës së një sistemi mbi themele të dobëta i kushton shumë shtrenjte pastaj si shtetit, drejtësisë dhe shoqërisë”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur lidhur procesin e emërimit të noterëve, një proces i përcjellë me plot dyshime dhe kritikë për politizim të skajshëm gjatë mandatit të PAN-it, tha se ka në plan që këtë çështje ta kthejë në pikën zero.

“Unë kam në plan që procesi i noterisë të anulohet dhe të kthehet në pikën zero. Këtu janë dy shqetësime: e para, fitimi i të drejtës individuale, ata të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë do të mund që të ankoheshin në gjykatë tek departamenti administrativ… (Brenda asaj liste) ka edhe të tillë që e kanë kaluar provimin me meritokraci, nuk po them se e gjithë lista prej atyre personave e kanë kaluar provimin me baza nepotiste familjare, partiake, por po them se as atyre të mirëve brenda asaj liste nuk u intereson që të dalin nga një proces i komprometuar i noterisë. Ne jemi duke parë vetëm bazën ligjore në mënyrë që mos të bëjmë ndonjë shkelje eventuale”, ka deklaruar Haxhiu.

Për këtë iniciativë të parë të angazhimit në funksion të vendosjes së rendit dhe rregullit në sistemin e drejtësisë ne vend, për “Kosova Sot Online” ka folur eksperti i kësaj fushe, Skënder Kapiti.

Një fillim i pastrimit të procesit të noterëve nga fillimi, sipas Kapitit do të ishte edhe një goditje serioze ndaj PDK-së dhe ish qeverisë së PAN-it, kur dihet se Abelard Tahiri e kishte mbështetur por edhe mbrojtur me të gjitha mënyrat këtë proces, të kritikuar edhe nga shoqëria civile por edhe nga përfaqësuesit diplomatik të vendeve mike në shtetin e Kosovës.

Image
Skender Kapiti

“Për të pasur një shërbim të besueshëm dhe kredibil edhe në fushën e noterisë, pa vonesë duhet të bëhet dhe fillon të zbarohet ligji Vetting. Ashtu sikurse tërë sistemi i drejtësisë në Kosovë duhet t'i nënshtrohet një Vetting-u, ashtu sikurse edhe politika duhet të dekriminalizohet, po ashtu , edhe noteria domosdo duhet t'i nënshtrohet edhe ajo një verifikimi, rivlerësimi e skualifimit prej individëve te pa afte e që kanë marrë lejen e veprimtarisë së Noterit mbi baza politiko-partizane, injorance e paaftësie, me lidhje korruptive e nepotizmi”, thotë Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Prandaj, sipas Kapitit është për tu mbështetur dhe përshëndetur vendimi që procesi të niset nga e para, nga pika zero.

“Më e mira dhe më e sakta do të ishte kthimi i procesit te emërimit të notereve që nga fillimi, në mënyrë që kandidatët t'i nënshtrohen një vlerësimi ashtu sikurse po bëjnë organet e Vetting-ut në Shqipëri, duke shqyrtuar deklarimin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale. Pra nuk duhet të lejohet ngritja dhe funksionimi i kompromentuar i noterisë, pasi pastaj do të jetë shumë vështirë për ta ndrequr atë. Punët jo të mira dhe ngritja e godinës së një sistemi mbi themele të dobëta i kushton shumë shtrenjte pastaj si shtetit, drejtësisë dhe shoqërisë”, deklaron njohësi i fushës së të drejtës, Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).