Maliqi: Hezitimi i skajshëm i Kurtit karshi SHBA’së mund të na marrë në qafë keq

  • 20 February 2020 - 12:00
Maliqi: Hezitimi i skajshëm i Kurtit karshi SHBA’së mund të na marrë në qafë keq

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka emëruar ambasadorin Richard Grenell në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare. Sipas analistit dhe njohësit të rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Agon Maliqi, një vendim i tillë nuk do ta shkëpusë Richard Grenellin nga dialogu Kosovë-Serbi.

Maliqi thotë se ngritja në detyrë e Grenell do të bëjë që të merret edhe më shumë me dialogun Prishtinë-Beograd dhe ta shtyjë përpara si projekt personal, meqenëse sipas Maliqit ai synon që të ulet në karrigen e Sekretarit të Shtetit nëse fiton Trump përsëri zgjedhjet.

Tutje ai shkruan se me shumë gjasë Grenell do të mbajë njëkohësisht edhe postin e ambasadorit në Berlin.

“Gaboheni rëndë nëse mendoni se Grenell nuk ka me u marrë me neve tash që ka hyp atje lart. Madje, gjasat më të mëdha janë se ka për të ndodhur e kundërta – se ka me i dhanë shtysë kësaj pune prej pozitës ma të naltë të mundshme si projekt personal, meqë ambiciet me gjasë i ka për Sekretar të Shtetit në mandatin e dytë të Trump (nëse ky fiton, e për momentin gjasat realisht nuk i ka të këqija). Madje, sipas raportimeve të deritanishme të mediave, Grenell me gjasë do ta mbajë paralelisht edhe postin e Ambasadorit në Gjermani”, ka shkruar Maliqi.

Analisti kosovar thotë se administrata aktuale amerikane është duke funksionuar me mendësi të qeverisjeve ballkanike dhe sipas tij duhet një koordinim Thaçi-Kurti për hapat e mëtejshëm.

Maliqi thotë se hezitimi i Kurtit dhe protagonizmi i Thaçit mund ta marrin në qafë Kosovën.

“Kjo nuk është një administratë tradicionale amerikane, operaton gati si qeveri ballkanike. Në këtë moment është jetik një konsensus kombëtar, veçanërisht mes Kurtit (si njeriu me legjitimitetin më të madh politik) dhe Thaçit (si njeri me peshë që e ka imponu veten në këtë proces), për hapat në vijim. Kjo qasje e deritashme e hezitimit të skajshëm (nga Kurti) dhe protagonizmit të tepërt (nga Thaçi) mundet me na marrë në qafë keq. Kosova, e madhe sa një lagje e Stambollit, është duke e mbivlerësuar peshën e vet në këtë periudhë shkundjesh tektonike”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot Online)