Grenell drejtor i përkohshëm zbulimi, Trump do të emërojë në këtë post dikë tjetër

  • 20 February 2020 - 17:00
Grenell drejtor i përkohshëm zbulimi, Trump do të emërojë në këtë post dikë tjetër

Ambasadori amerikan në Berlin dhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, sot në mëngjes sipas kohës evropiane, është caktuar nga Presidenti Trump si ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Vet Grenell dhe Ambasada në Berlin bëjnë me dije se ai do të jetë në krye të zbulimit amerikan përkohësisht, derisa Trump ta nominojë dikë tjetër. Zëdhënësi i Grenell i ka thënë  se ambasadori mbetet i përkushtuar 100 për qind në negociatat Kosovë – Serbi.

Siç ka thënë, Dick Custin, Grenell në këtë pozitë do të jetë për një kohë të limituar, derisa Shtëpia e Bardhë të publikojë emrin të cilin do ta nominojë për ta emëruar Drejtor të Inteligjencës Kombëtare.

Custin ka potencuar se Grenell do të mbetet i përkushtuar me kapacitet të plotë në rolin e tij si ambasador në Gjermani dhe në pozitën e emisarit për dialogun Kosovë-Serbi.

“Dua të theksoj se Ambasadori Grenell është pajtuar me kërkesën e Presidnetit Trump për të marrë pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare për një periudhë të limituar kohore, dhe se Shtëpia e Bardhë do të publikojë të nominuarin e saj së shpejti. Bazuar në këtë, Ambasadori Grenell do të vazhdojë të mbetet Ambasador i SHBA’së në Gjermani dhe atë të Përfaqësuesit Special Presidencial për dialogun Kosovë-Serbi për negociatat e paqes, për të cilat ai mbetet 100 % i përkushtuar”, ka thënë Custin.

Lidhur me këtë ka shkruar edhe vetë Grenell në twitter duke thënë se Donald Trump do ta publikojë së shpejti emrin e të nomonuarit, por që do të jetë dikush tjetër e jo ai (Grenell).


(Kosova Sot Online)