Pesë varret e familjes Bllaca – të afërmit presin përgjigjen e institucioneve

  • 20 February 2020 - 18:10
Pesë varret e familjes Bllaca – të afërmit presin përgjigjen e institucioneve

Një vrasje e shumëfishtë tronditi gjithë vendin të martën. Pesë anëtarët e familjes Bllaca nga Gjilani, u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre në lagjen “Bujanina”. Vrasja dyshohet se u krye nga e bija Valdetja, e cila ishte edhe zyrtare policore. Ajo dyshohet se fillimisht vrau prindërit, vëllezërit e pastaj veten. Trupat e tyre janë varrosur sot në varrezat e fshatit Cërnicë. Për këtë rast, janë suspenduar katër zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Pesë varre u hapën të enjten në varrezat e fshatit Cernicë të Gjilanit. Zeqiri, Hanifja, Blerimi e Fisniku u varrosën në një linjë me të bijën Valdeten, e cila ua mori atyre jetën dhe pastaj e vrau veten.

Pas varrimit fjalën e fundit nga Familja Bllaca e dha Halili, familjari i të ndjerëve. Ai tha se për gjithë zbardhjen e rastit do të merret policia.

“Kemi disa mesazhe. Ne besojmë në Zot dhe në shtet e institucione. Falënderojmë të gjithë ata që na janë gjetur pranë në këto ditë të vështira”, tha ai.

Por, ndonëse kanë kaluar dy ditë nga vrasja e shumëfishtë, ende nuk po dihet se çka e shtyri Valdeten që të merrte jetën e familjarëve ende nuk po dihet.

Media ka siguruar informacione rreth mënyrës se si u gjetën pesë anëtarët e vdekur të familjes Bllaca në Gjilan.

Në bazë të hetuesve të Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes, të vrarët ishin në pjesë të ndryshme të shtëpisë.

Sipas informatave të medias, njëri nga vëllezërit Bllaca dyshohet se u vra në dhomën e gjumit në katin e dytë të shtëpisë ku jetonin familja Bllaca. Ai, aty u gjet pa shenja jete. Tjetri djalë i familjes Bllaca, u gjet i shtrirë në korridorin e shtëpisë.

Ndërkohë që njollat e gjakut kishin përfshirë thuajse të gjithë shtëpinë. Krimin e rëndë, policja e Kosovës, Valdete Bllaca dyshohet se e vazhdoi në dhomën e ndejës, aty sipas burimeve gjendej babai i saj 70-vjeçar, të cilin e vrau e bija.

Pa shenja jete në ambientet e kuzhinës së shtëpisë u gjet edhe nëna e Valdetes, 64-vjeçare.

Por, Valdete Bllaca pas vrasjes së katër anëtarëve të familjes, kishte qëndruar për disa orë afër kufomave të tyre. Më pastaj brenda derës hyrëse të shtëpisë së saj, ajo dyshohet se i dha fund jetës së saj.

“Kishte kufoma gjithandej. Që nga kati i dytë i shtëpisë e deri në dhomën e ndejës”, e kanë përshkruar ambientin e shtëpisë hetuesit që kanë qenë brenda saj.

Tek secila viktimë kishte së paku dy plumba të shkrepur.

Valdetja kishte qenë pjesë e Policisë së Kosovës për 18 vite.

Express merr vesh se fillimisht Bllaca kishte punuar në Qendrën e Thirrjeve në Prishtinë dhe se para pesë vitesh ishte transferuar në Gjilan.

Madje, edhe vrasja dyshohet se ishte kryer me armën zyrtare të Valdetes.

Ajo dyshohet se kishte pasur probleme mendore.

Madje mjekët e që janë marrë me të, siç mëson, i kanë përshkruar asaj terapi si dhe i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës që ta sistemojnë atë në një pozitë zyrtare por pa uniformë. Në rekomandim mjekët kishin sugjeruar që asaj t’i merrej edhe arma.

Por, edhe pse arma i ishte marrë kësaj zyrtareje policore, dyshimet janë se vrasja mund të jetë kryer me armën e saj zyrtare e cila nuk është dashur që të ishte në dispozicionin e saj.

Ende askush nuk po e di se si arma ka mundur që të përfundojë në dorën e Valdete Ballcës. Ajo dyshohet se e ka tërhequr atë nga kasaforta ku ishte e vendosur në stacionin policor.

Për këtë rast, deri tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në rastin e tragjedisë së Gjilanit, ku vdiqën pesë veta të familjes Bllaca.

Zyrtarët e suspenduar janë; komandanti i stacionit policor, zëvendës komandanti policor, shefi i operativë të stacionit policor dhe një zyrtar i stafit civil.

Emrat e të suspenduarve janë Alban Ramushi – komandant, Naser Rrahmani – zëvendës komandant, Negovan Mihaljovic dhe Xhavit Azizi.

(Kosova Sot Online)