Paralajmërimi: Albin Kurti më parë jep dorëheqje, se sa bën këtë...

  • 20 February 2020 - 19:14
 Paralajmërimi: Albin Kurti më parë jep dorëheqje, se sa bën këtë...

“Nuk besoj që kryeministri Albin Kurti do të pranonte çdo gjë që i servohet në tavolinë nga ndërkombëtarët, e sidomos nëse është diçka e dëmshme për Kosovën dhe as qytetarët e saj. Ai nuk është bërë kryeministër që të pranoj çdo gjë. Serbia do të ketë probleme me Albin Kurtin gjatë bisedimeve, sepse ai do t'i qëndroj besnik parimeve të tij. Por as miqtë ndërkombëtare nuk besoj që na sprovojnë me gjëra që na dëmtojnë”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

 

Partnerët e rinj qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK, akoma nuk po arrijnë të akordohen dhe të marrin vendim të prerë për heqjen e taksës 100% ndaj mallrave me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, për ta zëvendësuar atë me masën e reciprocitetit, një premtim dhe zotim edhe elektoral i këtyre dy partive politike.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka përsëritur qëndrimin sipas të cilit tarifa do të hiqet ndaj Serbisë dhe Bosnjës, dhe se e njëjta do të zëvendësohet me reciprocitet. 

“Reciprociteti në marrëdhënie bilaterale me Serbinë është minimumi i dinjitetit shtetëror për të cilin Kosova do të insistojë. Kështu, ne do të përmbushim një zotim tonin parazgjedhor por edhe do të respektojmë një kërkesë eksplicite të aleatëve tanë perëndimorë, me theks të veçantë të SHBA-së, si parakusht që ajo të fasilitojë dialogun”, ka deklaruar Arben Gashi, i cili po ashtu thotë se dialogu duhet të rezulton me njohjen e ndërsjellë mes të dy vendeve.

Edhe Kryeministri Albin Kurti ka folur për këtë çështje, por nuk ka dhënë ndonjë afat se kur do ta marrë një vendim të tillë.

Ai ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të marrë rekomandimet nga grupi punues që do të formohet nga Ministria e Tregtisë, ku pjesë do të jenë organizata që merren me ekonominë dhe prodhuesit vendor. 

Image
Faik Krasniqi

E për këtë vazhdim të hamendjes për të vepruar dhe pasojat që mundë të vijnë, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Faik Krasniqi. 

Sipas Krasniqit, vetë fakti që masa e reciprocitetit peshon akoma më rëndë se taksa 100%, ka bërë që të vonohet vendosja e kundërpërgjigjes ndaj shtetit serb me këtë masë të re.

“Prandaj edhe qeverisë i duhet kohë derisa ta definon qartë planin e veprimit dhe zbatimit praktik. Reciprociteti i plotë është më i rëndë se taksa për Serbinë. Kjo do të thotë që në çdo gjë do të ketë barriera nëse Serbia i bën Kosovës. Kjo deri më tash nuk ka ndodhur nga ana e Kosovës, por vetëm nga ana e Serbisë. Ata kanë bërë çfarë kanë dëshiruar, por ne s'kemi bërë asgjë”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

Edhe pse ka një presion të shtuar ndërkombëtar që taksa të hiqet më shpejtë, në mënyrë që të fillojë dialogu me Serbinë, Krasniqi nuk beson që Qeveria mundë të dorëzohet para ndonjë plani të servuar paraprakisht në takimet jo formale nga dialogu, pjesë e të cilit ishte Hashim Thaçi me Aleksandër Vuqiqin, e që mundë të jetë në dëm të shtetit dhe të interesit të Kosovës, për çka është folur dhe është debatuar aq shumë deri më tani. 

“Nuk besoj që kryeministri Albin Kurti do të pranonte çdo gjë që i servohet në tavolinë nga ndërkombëtarët, e sidomos nëse është diçka e dëmshme për Kosovën dhe as qytetarët e saj. Ai nuk është bërë kryeministër që të pranoj çdo gjë. Serbia do të ketë probleme me Albin Kurtin gjatë bisedimeve, sepse ai do t'i qëndroj besnik parimeve të tij. Por as miqtë ndërkombëtare nuk besoj që na sprovojnë me gjëra që na dëmtojnë. Nëse vërtetë ka diçka që mundë t’i imponohet Kosovës si zgjidhje e pa dëshirueshme, e pa pranueshme për shtetin e Kosovës, Qeveria dhe Albin Kurti më parë do të jepte dorëheqje se sa që do të pajtohej për ta firmosur diçka të tillë”, deklaron analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

(Kosova Sot Online)