Isa Mustafa del kundër idesë së disa komunave: Pse të pushohet të dielave?

  • 21 February 2020 - 09:54
Isa Mustafa del kundër idesë së disa komunave: Pse të pushohet të dielave?

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar se komunat nuk mund të ndërhyjnë në ekonominë e lirë të tregut, duke iu referuar disave nga komunat që kanë propozuar që ditën e diel të jetë ditë pushimi.

Mustafa përmes Facebook-ut ka shkruar se askush nuk ka bërë analiza të duhura që të mos punohet të dielën.

“Pse të mos punohet ditëve të diela? Kush ka bërë analiza dhe ka ardhur në përfundim se mbyllja e dyqaneve, shërbimeve, aktiviteteve ekonomike ditën e diel nëpër komuna është në interes të publikut, të punësimit dhe të zhvillimit ekonomik?Se kjo siguron 8 orë punë në ditë dhe 40 orë në javë? Mendoj që askush, sepse vështirë është të bashkëjetojë koncepti i ekonomisë së lirë të tregut dhe i promovimit të sektorit privat si promotor i zhvillimit me ndërhyrje arbitrare në treg nga disa komuna, duke e marrë rolin e rregullatorëve ekonomik”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka bërë thirrje që Autoriteti i Konkurrencës t’i shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel.

“Prandaj shoh arësye që Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e disa komunave për të ndaluar punën ditën e diel, në pikëpamje të cenimit të konkurrencës së lirë dhe të ndikimit në sektorin privat”, ka shkruar kryetari i LDK-së.

(Kosova Sot Online)