Fushata për njohje e paralajmëruar nga Cakaj, reagon Daçiq

  • 21 February 2020 - 10:25
Fushata për njohje e paralajmëruar nga Cakaj, reagon Daçiq

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë presion ndaj Prishtinës dhe Tiranës që të braktisin fushatën e njohjes së Kosovës, në të njëjtën mënyrë që po i bën presion Serbisë që të ndërpresë fushatën e saj për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Ky reagim i tij erdhi pas propozimit që homologu i tij nga Shqipëria, Gent Cakaj bëri në Prishtinë  për fillimin e një fushatë të përbashkët për të njohur shtetësinë e Kosovës, raporton Tanjug.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, ka deklaruar gjatë vizitës në Kosovë se i ka propozuar homologut të tij, Glauk Konjufcës që dy shtetet të bëjnë fushatë për njohje të shtetit të Kosovës, me shpenzime të përbashkëta.

“Me z.Konjufca trajtuam disa probleme që janë thelbësore për bashkëpunimin. E shprehëm gatishmërinë për zhvillimin e ambasadave të përbashkëta. Ne jemi të gatshëm edhe në një numër të konsiderueshëm që të vazhdojmë në të njëjtën praktikë. Dua të theksoj se marrë parasysh se kemi nevojë për konkretizim të bashkëpunimit dhe mbledhje të dy qeverive, i kam propozuar z.Konjufca dy marrëveshje fillestare, e para është që duhet të mblidhemi që të firmosim një marrëveshje për ndarje të shpenzimeve në një fushatë për lobimin e njohjeve të Kosovës. Marrëveshja e dytë është ajo për transmetimin e përvojave në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)