Mësuesi “berber” po hetohet nga Prokuroria për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”

  • 21 February 2020 - 11:38
Mësuesi “berber” po hetohet nga Prokuroria për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”

Mësimdhënësi Xhelal Elezi u bë protagonist në një video-incizim ku shihej duke ushtruar profesionin e berberit ndaj një nxënësi të tij në shkollën fillore “Dëshmorët e Kombit” në fshatin Livoç i Ulët në Gjilan. Me rastin është duke u marrë Prokuroria Themelore e Gjilanit. Zëdhënësja e Prokurorisë së Gjilanit, Liridona Xheladini ka thënë përmedia se mësuesi është duke u hetuar për veprën ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’. Ndërkaq, Ministria e Arsimit i ka thënë medias se nuk ka pasur ankesë në Inspektoriatin e kësaj ministrie sa i përket rastit në fjalë. 

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjilanit, Nazim Gagica i ka thënë medias se komisioni në kuadër të DKA-së ka mbledhur të dhënat dhe do të dal me një vendim ndaj mësuesit në fjale gjatë dy-tri ditëve të ardhshme.

 “Komisioni në kuadër të Drejtorisë Komunale të Arsimit tash në afat ligjor i ka mbledhur të dhënat dhe besoj që shumë shpejt në afat prej tre ditësh do të dalin me vendim në bazë të rregullores për shkelje”, ka thënë Gagica.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini ka thënë për media se pas publikimit të videos, më 12 shkurt 2020 ka filluar hetimi ndaj mësuesit Xhelal Elezi.

“Ky rast është duke u trajtuar në procedurë të rregullt, ku pas publikimit të videos, Prokuroria Themelore në Gjilan, menjëherë ka filluar veprimet fillestare hetimore”, ka thënë Xheladini.

Mësuesi është duke u hetuar për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës”.

“Prokuroria ka autorizuar policinë që të intervistojnë, prindin e fëmiut, arsimtarin, tani të dyshuarin, i cili është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Prokuroria e Gjilanit poashtu ka thënë se nga Qendra për Punë Sociale është intervistuar edhe nxënësi, në prezencë të përfaqësuesit të tij ligjor.

Ndërkaq Zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit i ka thënë medias se në Inspektoratin e Arsimit nuk ka arritur ndonjë ankesë lidhur me këtë rast.

“Duke qenë se punëdhënës për mësimdhënësit janë komunat, edhe rasti në fjalë duhet të trajtohet nga Drejtoria Komunale e Arsimit të Komunës së Gjilanit. Natyrisht, nëse ka ankesë nga ndonjë palë, rastin e trajton Inspektorati i Arsimit. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur ndonjë ankesë në Inspektorat në lidhje me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Ky rast kishte ndodhur një javë para se të dilte video-incizimi ku arsimtari i Gjeografisë, Xhelal Elezi shihej duke ia prerë flokët nxënësit të tij në klasë.

(Kosova Sot Online)