Godfrey: Grenell i entuziazmuar për postin e ri në administratë pasi do të ketë më shumë ndikim në dialog

  • 21 February 2020 - 14:45
Godfrey: Grenell i entuziazmuar për postin e ri në administratë pasi do të ketë më shumë ndikim në dialog

Ambasadori i SHBA’së në Beograd, Anthony Godfrey, thotë se ambasadori Richard Grenell do të vazhdojë punën e tij si emisar për negociatat e paqes Kosovë-Serbi edhe përkundër faktit se është emëruar Ushtrues Detyre i Drejtorit për Inteligjencë Kombëtare.

Siç ka deklaruar sot Godrey,  ambasadori Grenell madje është shumë i lumtur që do të mund të vazhdojë rolin e tij prej Përfaqësuesi Special tashmë kur do të ketë edhe një pozitë të tretë në Washington si pjesë e administratës së presidentit Trump, pasi tashmë do të ketë edhe më shumë ndikim në çështjet me të cilat do të merret.

“Kam folur dje me ambasadorin Grenell dhe ai është shumë i entuziazmuar që mund të vazhdojë rolin e tij, veçanërisht tani që si anëtar i kabinetit ai mund të ketë edhe më shumë ndikim dhe që mund ta dëshmojë veten e tij në punë me energji shumë më të madhe”, citohet t’iu ketë thënë Godfrey gazetarëve sot në Kragujevac, shkruan N1.

Tutje ambasadori Godfrey ka thënë se Richard Grenell do të vazhdojë të përqendrohet në zhvillimin ekonomik dhe në çështje konkrete duke lënë me një anë çështjet politike.   

Emërimi i Grenell në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit për Inteligjencë kishte ngritur shumë pikëpyetje se çfarë do të ndodhte me pozitën e tij prej emisari në dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë gjithçka ishte sqaruar dje nga Washingtoni. Grenell do të vazhdojë të mbajë tri pozita në të njëjtën kohë. Në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Inteligjencës do të jetë për një kohë të caktuar, derisa të nominohet një emër tjetër në atë pozitë.

Zëdhënësi i zyrës së Grenell në Berlin, Dick Custin, ka thënë se Grenell do të mbetet i përkushtuar 100 % në punën e tij si ambasador në Berlin dhe si Përfaqësues Special Presidencial për dialogun Kosovë-Serbi.

(Kosova Sot Online)