Nga 1 marsi në Skenderaj e diela do të jetë pushim për bizneset

  • 21 February 2020 - 17:05
Nga 1 marsi në Skenderaj e diela do të jetë pushim për bizneset

Komuna e Skenderajt ka marrë vendim që nga 1 marsi i këtij viti dita e diel të jetë ditë pushimi për subjektet afariste. 

“Komuna e Skenderajt, me qëllim të zbatimit të Ligjit të Punës, mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, nga data 1 mars do të fillojë së zbatuari Rregulloren Komunale mbi orarin e punës në fushën e tregtisë,  hotelerisë, zejtarisë dhe shërbimeve tjera. Në bazë të kësaj rregulloreje komunale e diela do të jetë ditë pushimi  për shumicën e subjekteve afariste në territorin e komunës tone”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Të dielën disa nga subjektet afariste do të punojnë deri në ora 11:00. 

“Përjashtim bëjnë dyqanet ushqimore të cilave u lejohet të punojnë edhe të dielave deri në orën 11:00, kafiteritë , restaurantet, furrat e bukës, sallonet e ondulimit si dhe pikat e shitjes së derivateve të naftës të cilat do të vazhdojnë të punojnë me orar të rregullt siç kanë punuar deri me tani”, thuhet në njoftim.

Komuna e Skenderajt u ka bërë thirrje që bizneseve që të respektojnë rregulloren përndryshe do të gjobiten.

“Me këtë rast Komuna e Skenderajt, Inspektorati Komunal, kërkon mirëkuptim nga të gjitha bizneset dhe po ashtu kërkon nga ta që kjo rregullore të respektohet,  ndryshe për mos respektimin e kësaj rregulloreje pason gjoba sipas legjislacionit ne fuqi”, thuhet në komunikatën e komunës së Skenderajt.

(Kosova Sot Online)