Lumir Abdixhiku e anulon ndërtimin e lagjes në Badovc

  • 21 February 2020 - 18:05
Lumir Abdixhiku e anulon ndërtimin e lagjes në Badovc

Pas vendimit për anulimin e tenderit 110 milionësh për autostradën Prishtinë-Gjilan, Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm.

Sipas burimeve të “Kosova Sot Online”, Abdixhiku ka anuluar edhe ndërtimin e lagjes në Badovc.

Sipas burimeve, ministri Abdixiku ka urdhëruar komunën e Prishtinës që ta anulojë ndërtimin e lagjes në afërsi të Liqenit të Badovcit.

“Obligohet Komuna e Prishtinës për anulimin e vendimit … të datës 20.12.2019 për Kushtet ndërtimore për rastin e kërkesës së ndërtimit të lagjes në afërsi të Badovcit”, thuhet në vendim.

E kujtojmë së sot gjatë ditës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kjo ministri ka anuluar tenderin 110 milionësh për autostradën Prishtinë-Gjilan.

“Sot Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka anuluar tenderin 110 milionësh të shpallur pa miratim buxhetor në kohën e tranzicionit qeveritar. Me këtë vendim, ne i kthejmë ligjshmërinë një procesi të rëndësishëm financiar për vendin. 110 milionë euro s’mund të shpenzohen pa ligj; jo në këtë epokë të re qeverisëse”, ka thënë Abdixhiku.

Poashtu, ai ka njoftuar se projekti për autostradën do të vazhdojë dhe është prioritet i qeverisë së re.

“Qeveria e re i siguron banorët e Anamoravës se projekti i autostradës Prishtinë-Gjilan vazhdon. Është prioritet i programit tonë. Javën që vjen do t’i vizitoj punimet e deritanishme që duket se kanë mbetur prapa në kohë. Do t’i japim ritëm të ri”, ka thënë Abdixhiku.

(Kosova Sot Online)