Zyra e Thaçit ia hodhi fajin për skandalin me Xhamajkën, deputetja e PDK’së e mbron Çitakun

  • 22 shkurt 2020 - 08:06
Zyra e Thaçit ia hodhi fajin për skandalin me Xhamajkën, deputetja e PDK’së e mbron Çitakun

Pas skandalit me njohjen nga Xhamajka të gjithë gishtat janë drejtuar nga Vlora Çitaku. Një gjë të tillë zyrtarisht e ka bërë edhe nga zyra e presidentit Hashim Thaçi, të cilët përgjegjësinë për një gjë të tillë ia kanë veshur ambasadores Çitaku.

Por deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, i ka dalë në krah Çitakut pas skandalit me Xhamajkën, së cilës iu referua presidenti Hashim Thaçi kur njoftoi se kinse ky shtet ka njohur Kosovën.

Hoxha e quajti vlerë të shtetit Çitakun dhe se për të dhe gra të tilla diplomate duhet të jenë krenarë.

“VLORA është vlerë e Kosovës. Edhe MODESTA poashtu. ë Kosova duhet të jetë krenare për gra të tilla që bëjnë diplomacinë tonë dhe ngrisin imazhin e shtetit tonë nëpër botë. Unë jam shumë krenare me to”, ka shkruar ajo në Facebook.

Çitaku ende nuk ka folur rreth situatës së krijuar edhe pse presidenti dhe Ministria e Jashtme thanë se lajmin për njohjen e Xhamajkës e morën nga një email i dërguar nga ajo.

Derisa ajo hesht nga SHBA, në Kosovë pati edhe të tillë që kërkuan dorëheqjen e saj, në rast se provohet që lajmi i rremë buroi nga ajo.

(Kosova Sot Online)