Bie numri i rasteve të reja të koronavirusit në Kinë, në Itali regjistrohet vdekja e parë

  • 22 shkurt 2020 - 08:27
Bie numri i rasteve të reja të koronavirusit në Kinë, në Itali regjistrohet vdekja e parë

Autoritetet kineze të shtunën raportuan për rënie të konsiderueshme të numrit të infektimeve të reja me koronavirus. Në 24 orët e fundit u konfirmuan vetëm 397 raste të reja, ndërsa në ditën paraprake ishin shënuar 889 raste.

Megjithatë, numri i infektimeve vazhdoi të rritej në shtetet e tjera. Gjendja u përkeqësua në Korenë Jugore, Itali, Iran dhe Liban. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se dritarja e mundësisë për ta parandaluar përhapjen e virusit në nivel ndërkombëtar është duke u mbyllur.

Vetëm në Korenë Jugore, të shtunën u konfirmuan 142 raste të reja të infektimeve, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 346 persona. Në një spital të këtij shteti, shifra e personave të infektuar brenda natës u rrit nga 16 në 108.

Gjendja u rëndua edhe në pjesën veriore të Italisë, ku u regjistrua viktima e parë nga koronavirusi. Përpos këtij rasti, në shtetin evropian u konfirmuan 17 raste të reja, shkruan Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Numri i përgjithshëm i infektimeve në Kinë shkoi në 76 mijë e 288, ndërsa shifra e personave të vdekur në 2345 persona. Në epiqendrën e virusit, në provincën Hubei, u raportuan 106 vdekje të reja, 90 prej të cilave u regjistruan në qytetin Wuhan.

(Kosova Sot Online)