Policia dhe Prokuroria lëvizin, po kërkojnë sulmuesit e Avdullah Hotit

  • 22 February 2020 - 17:27
Policia dhe Prokuroria lëvizin, po kërkojnë sulmuesit e Avdullah Hotit

Policia dhe Prokuroria janë vënë në kërkim të personave që sot e sulmuan me vezë, zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë se kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është inicuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngadalë ka filluar që të marrë përgjegjësinë për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.

Grupi Parlamentar i AAK’së ka publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, raportimet e mediave për këtë rast.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka dalë hapur pro sulmit me vezë ndaj Avdullah Hotit, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.

“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje.

Edhe zyrtari tjetër i AAK’së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos marrë vendime të njëanshme për sa i përket taksës. Ka thënë se duhet të ketë konsensus politik për tema të tilla që kanë të bëjnë me Serbinë.

Për sulmin ndaj Hotit, gishtin ka opozita e ka drejtuar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari ka shkruar se nëse opozitarizmi do të jetë gjuajtja me vezë ajo do të jetë kopje e keqe qeverisjes së tjetërkujt.

“Nëse veprimi opozitar tash e tutje do të jetë gjuajtja me Vezë pozitën, sikur që u bë sot ndaj Zv/KM Avdullah Hotit, atëherë njëjtë sikur edhe qeverisja juaj deri tash, do të jenë kopje e keqe e tjetër kujt”, ka shkruar Kusari.

Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe vetë Hoti, duke thënë se ata që kanë organizuar sulmin e sotëm synojnë izolimin e Kosovës.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.

Edhe Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga drejtësia të merret me gjithë ata që nxisin dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë derisa ka kërkuar të ndërpritet praktika e mosreagimit të Policisë dhe Prokurorisë.

“Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.

Edhe Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.

(Kosova Sot Online)