Presidenti dënon sulmin ndaj Hotit, thotë se dhuna është e papranueshme

  • 22 February 2020 - 18:43
Presidenti dënon sulmin ndaj Hotit, thotë se dhuna është e papranueshme

Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të papranueshme sulmet e dhunshme ndaj zyrtarëve të Qeverisë. Ka thënë se duhet dënuar sulmuesit me vezë të Zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti.

Presidenti i Republikës ka thënë se dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme.

“Sulmi me vezë ndaj Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është i papranueshëm dhe i dënueshëm në demokracinë dhe shtetin që kemi ndërtuar. Tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike ka qenë dhe do të mbetet përherë e papranueshme dhe e dënueshme”, ka shkruar Thaçi në reagim.

Edhe Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se veprimet e opozitës nuk e shqetësojnë Qeverinë. I ka uruar punë të mbarë Avdullah Hotit, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.

Ndrëkohë, Policia dhe Prokuroria janë vënë në kërkim të personave që sot e sulmuan me vezë, zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë se kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është inicuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngadalë ka filluar që të marrë përgjegjësinë për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.

Grupi Parlamentar i AAK’së ka publikuar në llogarinë zyrtare në Facebook, raportimet e mediave për këtë rast.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinaj, ka dalë hapur pro sulmit me vezë ndaj Avdullah Hotit, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.

“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje.

Zyrtari tjetër i AAK’së, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të mos marrë vendime të njëanshme për sa i përket taksës. Ka thënë se duhet të ketë konsensus politik për tema të tilla që kanë të bëjnë me Serbinë.

Ndaj sulmit të sotëm ndaj Avdullah Hotit ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe vetë Hoti, duke thënë se ata që kanë organizuar sulmin e sotëm synojnë izolimin e Kosovës.

“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.

Edhe Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga drejtësia të merret me gjithë ata që nxisin dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë derisa ka kërkuar të ndërpritet praktika e mosreagimit të Policisë dhe Prokurorisë.

“Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës.


(Kosova Sot Online)