“Vuçiq e zbuloi të vërtetën”, kërkohet shkarkimi i Hashim Thaçit

  • 23 shkurt 2020 - 07:34
“Vuçiq e zbuloi të vërtetën”, kërkohet shkarkimi i Hashim Thaçit

“Ajo çka është interesante tek informatat e presidentit Vuçiq, se askund nuk përmendet Lugina e Preshevës, kartë kjo me të cilën presidenti Thaçi tentonte ta mashtronte jo vetëm opinionin kosovar, por i mashtroi edhe qytetarët shqiptar në Luginë. Përtej kësaj Vuçiq, ka zbuluar edhe strategjinë serbe me të cilën ata iu janë qasur këtij plani, në stilin kërko më shumë që të marrësh atë që e ke për synim, dhe synimi I Beogradit ka qenë veriu i Kosovës dhe si kompromis ata e kanë planifikuar heqjen dorë nga kërkesa e marrjes edhe të Anamoravës”, thotë Haziri për “Kosova Sot Online”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka folur së fundi rreth dialogut të zhvilluar me Kosovën, presidentin Hashim Thaçi dhe ndërmjetësimin e BE-së, një proces i cili u ndërpre pas vendosjes së taksës 100% nga ish qeveria Haradinaj.

Vuçiq ka zbuluar detaje shtesë, të pa njohura deri tani rreth planit për ndarje-shkëmbim territoresh.. Sipas Vuçiqit, si pjesë e kompromisit planifikohej që Serbia të merrte pjesën e Veriut të Kosovës dhe Anamoravën.

“Amerikanë kanë kundërshtuar më zëshëm sesa Evropianët gjatë gjithë kohës. Është e pamundur që shqiptarët ta bëjnë një gjë të tillë pa mbështetjen e dikujt. Sigurisht, shqiptarët kanë pasur mbështetjen e shumicës së fuqive evropiane, për ta larguar Serbinë nga dialogu, në mënyrë që Serbia të mos arrijë të kërkojë as Veriun e Kosovës, Anamoravën, apo ndonjë gjë tjetër. Pra për të quar poshtë ndonjë plan nga i cili Serbia do të merrte diçka”, ka thënë Vuqiq.

Për këto detaje të zbuluara nga Vuçiq, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend. Nexhat Haziri.

Sipas Hazirit, zbulimi i këtyre detajeve të reja, janë argumente shtesë që të duhet të shfrytëzohen për inicimin e procedurës së shkarkimit të Hashim Thaçit përmes Gjykatës Kushtetuese.

Image
Nexhat Haziri

“Pikërisht presidenti serb Vuqiq zbulon thuajse në detaje planin për ndarjen e Kosovës si marrëveshje përfundimtare siç e quan ai ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, një plan ky i mbështetur përpos nga Rusia, dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, për fat të keq ishte mbështetur edhe nga presidenti Hashim Thaçi i cili në bazë të këtij plani paralajmëronte kompromise të dhimbshme, dhe kjo mbështetje e presidentit Thaçi për këtë plan, përbën një materie për shkelje të kushtetutës dhe rrezikim të sovranitetit territorial të vendit dhe të iniciohet shkarkimi i tij nga posti i presidentit të Republikës”, thotë analisti politik, Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, Vuçiq me këto detaje ka zbuluar një mashtrim të madh, që Hashim Thaçi po mundohet ta bënte me qytetarët dhe politikën kosovare, duke premtuar se në shkëmbim të veriut të Kosovës, do t’i bashkohen territoret shqiptare që aktualisht i administron Serbia, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja.

“Ajo çka është interesante tek informatat e presidentit Vuqiq, se askund nuk përmendet Lugina e Preshevës, kartë kjo me të cilën presidenti Thaçi tentonte ta mashtronte jo vetëm opinionin kosovar, por i mashtroi edhe qytetarët shqiptar në Luginë. Përtej kësaj Vuqiq, ka zbuluar edhe strategjinë serbe me të cilën ata iu janë qasur këtij plani, në stilin kërko më shumë që të marrësh atë që e ke për synim, dhe synimi I Beogradit ka qenë veriu i Kosovës dhe si kompromis ata e kanë planifikuar heqjen dorë nga kërkesa e marrjes edhe të Anamoravës. Mirëpo siç thotë edhe vet presidenti serb Vuçiq, ky plan nuk është realizuar për shkak të kundërshtimit nga një vend i fuqishëm, e ky vend sipas mendimit tim është Gjermania, e cila ka qenë konstante në qëndrimet e saj për kundërshtim të ndryshimit të kufijve në Ballkan, e sidomos marrëveshjen në mes Kosovës dhe Serbisë mbi parimin e ndryshimit të kufijve”, shprehet Haziri për “Kosova Sot Online”.

Ky plan, sipas Hazirit edhe pse Vuçiq thotë se ka dështuar, nuk mundë të konsiderohet i tillë, derisa në dialog të vazhdon të jetë pjesëmarrës, madje me rol kyç presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Dhe krejt në fund mendoj se plani i ndarjes së Kosovës do të jetë akoma aktual për aq sa mund të gjejë bashkëbisedues nga pala kosovare, e sidomos rrezik që ky plan serish të kthehet në tavolinën e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë, është nëse këtu bisedime në emër te Kosovës i udhëheq presidenti Thaçi”, përfundon për “Kosova Sot Online”, analisti Nexhat Haziri.

(Kosova Sot Online)