Pesë të vdekur nga koronavirusi në Korenë Jugore

  • 23 February 2020 - 11:49
Pesë të vdekur nga koronavirusi në Korenë Jugore

Koreja Jugore e ka aktivizuar nivelin më të lartë të alarmit për sëmundje ngjitëse pas konfirmimit të qindra rasteve të reja dhe vdekjes së pesë personave nga koronavirusi.

Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in tha se përhapja e koronavirusit në vend ka arritur në një pikë kritike dhe se ditët në vijim do të jenë vendimtare për kontrollimin e situatës.

Kjo është hera e parë në 11 vjetët e fundit që Koreja Jugore e aktivizon alarmin e kuq për sëmundje. Herën e kaluar, një alarm i tillë ishte aktivizuar për shkak të gripit H1N1. 

Besohet që shumica e rasteve të reja janë paraqitur gjatë zhvillimit të një meshe në kishë, ku po merrte pjesë një grua e infektuar.

Prej asaj kohe, numri i personave të infektuar ka shkuar në 556, ndërsa të dielën u konfirmua vdekja e pestë. Këto shifra i publikoi Qendra për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve.

Autoritetet njoftuan se 534 pacientë janë vendosur në izolim dhe gjashtë mijë të tjerë janë duke u testuar, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)