Rreziku nga Koronavirusi, Ministria e Jashtme jep informacion për shqiptarët në Itali

  • 23 February 2020 - 18:41
Rreziku nga Koronavirusi, Ministria e Jashtme jep informacion për shqiptarët në Itali

Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, ka njoftuar se vendi ynë po ndjek nga afër situatën e emergjencës në Itali nga përhapja e Koronavirusit atje.

Sipas tij, deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur, të cilët aktualisht janë në Itali.

Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar për shkak të konventës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ai u bën apel shqiptarëve në Itali, sidomos atyre në zonat e prekura që të veprojnë në përputhje me masat për parandalimin e përhapjes së Koronavirusit.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme së bashku me Ambasaden e Republikës së Shqipërisë në Itali dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari janë duke ndjekur nga afër situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri më tani nuk ka informacione për qytetarë shqiptarë të prekur. Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ministrinë e Shëndetësisë të Italisë dhe me Departamentin e Emergjencave Civile të Këshillit të Ministrave të Italisë për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.Ne iu bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali t’iu përmbahen masave të përcaktuara prej autoriteteteve italiane në situatën e emergjencës.Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë në Itali do të vijojnë informimin e publikut varësisht prej situatës.” shkruan Cakaj.


(Kosova Sot Online)