Trump: Grenell ka bërë punë fantastike në dialogun Kosovë-Serbi

  • 23 February 2020 - 20:25
Trump: Grenell ka bërë punë fantastike në dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se Richard Grenell do të mbetet i dërguar i tij për dialogun Kosovë-Serbi dhe se ai në të njëjtën kohë mund t’i kryejë si detyrat e ambasadorit në Gjermani, ashtu edhe Drejtorit të Inteligjencës amerikane dhe emisarit special ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Grenell është aktualisht ambasador amerikan në Gjermani, derisa disa ditë më parë është emëruar edhe ushtrues detyre i Drejtorit të Inteligjencës amerikane.

Presidenti tha se zoti Grenell do të vazhdojë në detyrën e dërguarit amerikan për Kosovën dhe Serbinë:

“Ambasadori do të vazhdojë pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thonin se ishte një marrëveshje e paarritshme por ai e realizoi. Ishte dicka shumë pozitive për këto të dyja vende“, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjes së fundit për rihapjen e transportit hekurudhor e rrugor Kosovë-Serbi.

Trumpi e ka bërë këtë deklaratë para nisjes për një udhëtim në Indi.


(Kosova Sot Online)