Simptomat, çfarë duhet të dinë shqiptarët për koronavirusin

  • 23 February 2020 - 20:54
Simptomat, çfarë duhet të dinë shqiptarët për koronavirusin

Sëmundja dhe simptomat

Koronaviruset janë viruse, të cilat shkaktojnë një mori problemesh shëndetësore, nga të lehtat, si e ftohura e zakonshme, tek ato serioze të njohura si çrregullime akute të frymëmarrjes.

Varianti i koronavirusit, që ka goditur botën aktualisht është variant i ri i kësaj familjeje, që shkakton “sëmundjen koronavirus” (COVID-19), e cila në rastet e përparuara shkakton pneumoni, të njohur si “pneumoni nga infeksioni me koronavirus të ri” (NCIP).

Rastet e rënda të pneumonisë shkaktuar nga koronavirusi mund të çojnë në sëmundje akute të frymëmarrjes dhe në disa raste në vdekjen e të prekurve.

Simptomat kryesore të sëmundjes së koronavirusit janë: temperaturë, kollë e thatë pa sekrecione, lodhje dhe, në raste serioze, çrregullime të frymëmarrjes dhe aritmi të zemrës, të cilat mund ta kalojnë pacientin në gjendje shoku. Një pjesë shumë e vogël e personave të prekur nga virusi zhvillojnë çrregullime akute me rreziqe ndaj jetës.

Koha e kalimit nga simptomat e para deri në çrregullimin akut është e shkurtër dhe zgjat zakonisht brenda 5-7 ditësh.

Rastet serioze zhvillohen kryesisht tek të moshuarit, sidomos ata që vuajnë nga sëmundje të tjera, veçanërisht ata që kanë probleme paraprake mushkërish dhe zemre. Fëmijët e vegjël janë më të mbrojtur se sa moshat e tjera.

Deri tani nuk ka asnjë lloj vaksine parandaluese për këtë virus.

Pasojat e njohura të deri tani

Studiuesit kinezë ndoqën gjatë muajit janar të gjithë personat e prekur nga virusi që kërkuan ndihmë në Spitalin Zhongnan të Universitetit të Wuhanit, zonës nga ku filloi përhapja e virusit në Kinë dhe gjithë botën.

Mosha e 139 pacientëve të pranuar varioi nga 22 deri në 92 vjeç. Gjysma e tyre ishin mbi 51 vjeç, dhe mbi 54 për qind ishin meshkuj. Simptomat kryesore ishin temperaturë, lodhje dhe kollë e thatë.

102 prej tyre, ose tre të katërtat e totalit, nuk patën nevojë për trajtim intensiv spitalor dhe u liruan të shëruar.

Një në katër pacientë, 36 persona, kërkuan kujdes intensiv mjekësor. Gjysma e tyre ishin mbi 65 vjeç dhe thuajse të gjithë me probleme të tjera shëndetësore. Gjashtë persona, ose 4,6 për qind humbën jetën nga ndërlikimet në mushkëri.

Nga të dhënat e deritanishme botërore, reth 20 për qind e të prekurve të identifikuar kërkojnë terapi intensive, ndërsa vdekshmëria është rreth 3 për qind.

Origjina dhe përhapja

Rasti i parë i infektimit me koranvirusit të ri u identifikua në dhjetor 2019, në Wuhan të Kinës, që është epiqendra dhe zona më e prekur në botë nga sëmundja. Të gjitha rastet e para në Wuhan ishin të lidhur me praninë në një treg të gjësë së gjallë.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), deri më 22 shkurt 2020, në Kinë janë identifikuar 78 833 individë të prekur nga koronavirusi, nga të cilët 2 443 kanë vdekur.

Virusi është përhapur në mbarë botën—janë identifikuar të prekur në 28 vende, në 5 kontinente.

Sipas, OBSH-së, deri më 22 shkurt 2020, në vendet e tjera jashtë Kinës, janë identifikuar 1 602 raste dhe 20 të vdekur, nga të cilët 602 raste dhe 5 të vdekur në Korenë e Jugut; 132 raste dhe 2 të vdekur në Japoni, 29 raste dhe 5 të vdekur në Iran.

Në Evropë janë identifikuar 123 raste të prekur dhe tre të vdekur, nga të cilat 79 raste dhe një i vdekur në Itali, 16 raste në Gjermani dhe 12 raste dhe një i vdekur në Francë.


(Kosova Sot Online)