BE-ja pa plan për kufizim të udhëtimeve shkaku i koronavirusit

  • 24 February 2020 - 11:33
BE-ja pa plan për kufizim të udhëtimeve shkaku i koronavirusit

Komisioni Evropian tha të hënën se Bashkimi Evropian ende nuk është duke e shqyrtuar vendosjen e kufizimeve në udhëtim brenda zonës Schengen pas përhapjes së koronavirusit në Itali.

Katër persona kanë vdekur deri më tash në pjesën veriore të Italisë dhe rreth 150 të tjerë janë infektuar që nga e premtja e kaluar, duke e bërë Italinë vendin më të goditur nga virusi i ri jashtë kontinentit të Azisë, shkruan “Reuters”.

“Sa u përket skenarëve të ndryshëm siç është suspendimi i bashkërenduar i Schengen-it, nuk do ta bëjmë një gjë të tillë tash për tash, por jemi duke punuar në plane të ndryshme në rast të zhvillimeve të papritura”, tha komisionari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic. 

Komisionerja e BE-së për shëndetësi, Stella Kyriakides, tha se kufizimet në udhëtime në zonën Schengen duhet të jenë në proporcion dhe të koordinuara mes shteteve të BE-së. Ajo gjithashtu shtoi se një masë e tillë duhet të jetë e mbështetur në të dëshmi shkencore.

“Tash për tash, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka këshilluar për vendosjen e kufizimeve në udhëtime apo tregti”, tha para gazetarëve kjo zyrtare, duke shtuar se një mision i OBSh-së do të arrijë të martë në Itali për ta vlerësuar gjendjen.

(Kosova Sot Online)