Frika nga koronavirusi, s’ka njeri pa maskë në Itali

  • 24 February 2020 - 12:35
Frika nga koronavirusi, s’ka njeri pa maskë në Itali

Italia është në Evropë vendi më i rrezikuar nga Koronavirusi, ndaj qeveria italiane ka ndërmarrë masa drastike. Në disa zona jeta publike gati është paralizuar.

“Qëllimi është që të mbrojmë shëndetin e popullit “, deklaroi kryeministri italian Giuseppe Conte, pas një takimi të shtabit të krizës me autoritetet civile të mbrojtjes në këtë vend.

Rajonet më të prekura nga virusi COVID-19 do të rrethohen. Popullata nuk do të lejohet të futet dhe as të dalë nga këto zona. Banorët e zonave të rrezikuara mund të lëvizin vetëm në “rastet e veçanta”.

Ai që përpiqet t’i kalojë barrierat, cënohet nga ndjekja penale, theksoi kryeministri. Ai megjithatë kërkon një mirëkuptim të popullatës së atjeshme.

Conte ka paralajmëruar mbylljen e sipërmarrjeve dhe shkollave, si dhe ndalimin e tubimeve masive. Qeveria italiane ka ndaluar ndërkohë edhe karnavalet në Venecia. Ndalimi i lëvizjeve në zonën e Shengenit deri tani nuk është parashikuar, theksoi kryeministri.

Hotspoti evropian

Deri tani nuk janë regjistruar në asnjë vend tjetër evropian kaq shumë raste të infektimeve me virusin SARS-CoV-2. Në Itali janë regjistruar gjithsej 150 raste.

Nga pjesët veriore të Italisë, në rajonin Venecia dhe Lombardi, ka pasur edhe 4 raste të vdekjes. Për krahasim: Në Gjermani janë regjistruar deri tani 16 raste të infektimeve, në Francë 12, ndër të cilët një person ka vdekur.

Shpërthimi i infektimeve në Lombardi ka ndodhur pas infektimit të një 38-vjeçari i cili po trajtohet në një spital në qytetin e vogël Codogno. 

Se ku është infektuar ai, ende nuk dihet saktësisht. Dyshohet se është infektuar nga një mik kinez, i cili është kthyer së fundmi nga vendlindja e tij në Itali.

Por kjo nuk është konfirmuar. Ndërkohë që për ardhjen e virusit në Venecia dyshohen afaristë kinezë, të cilët kanë ardhur atje. Një rast në rajonin Piemont është regjistruar pas kontakteve të tij me njerëz nga Lombardia.

Organizata Botërore e Shëndetësisë WHO, shprehet e shqetësuar për paraqitjen e rasteve të infekimeve më virusin COVID-19 tek personat, të cilët nuk kanë ndonjë lidhje me Kinën.

Ndërkohë dyshohet se koha e inkubacionit mund të jetë shumë më e gjatë se dy javë. Kjo do të vështirësonte përpjekjet për parandalimin e epidemisë.

(Kosova Sot Online)