Trumpi i gatshëm ta nënshkruajë pakt paqeje me talibanët

  • 24 February 2020 - 12:45
Trumpi i gatshëm ta nënshkruajë pakt paqeje me talibanët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshje të paqes me talibanët në Afganistan, nëse respektohet pakti i përkohshëm për zvogëlimin e dhunës.

“Ne mendojmë se ata dëshirojnë të bëjnë marrëveshje, ne dëshirojmë të bëjmë marrëveshje. Unë mendoj se do të funksionojë, do të shohim”, tha Trumpi para gazetarëve para se të nisej drejt Indisë për vizitë zyrtare.

Më herët gjatë këtij muaji, dy palët njoftuan se kanë arritur marrëveshje të përkohshme për zvogëlimin e dhunës, duke filluar nga data 22 shkurt.

Nëse respektohet marrëveshja paraprake, ajo mund të sjellë nënshkrimin e paktit të paqes dhe rrjedhimisht largimin e trupave amerikane nga Afganistani, shkruan “Free Europe”.

Tash për tash, në territorin e Afganistanit ndodhen më shumë se 12 mijë ushtarë amerikanë, ndërsa talibanët e kanë vendosur si kusht largimin e tyre në mënyrë që të ndërpriten luftimet.

(Kosova Sot Online)