Koronavirusi shkakton rënie prej 4 për qind të çmimit të naftës

  • 24 February 2020 - 14:05
Koronavirusi shkakton rënie prej 4 për qind të çmimit të naftës

Çmimi i karburanteve në bursën ndërkombëtare të hënën ra për 4 për qind. Kjo rënie erdhi pas përhapjes së shpejtë të koronavirusit jashtë Kinës, përfshirë rastet në Korenë Jugore, Iran dhe Itali.

Rënie pati edhe në vlerën e aksioneve në tregjet globale për shkak të shqetësimeve në lidhje me ndikimin e koronavirusit në tregti. Çmimi i një fuçie naftë në tregun botëror ra për 4.1 për qind në 56.13 dollarë.

“Zhvillimet e fundjavës na përkujtuan qartazi se koronavirusi është tash për tash një forcë e pandalshme”, tha Tamas Varga, analist i tregut të karburanteve.

Qyteti i Koresë Jugore, Daegu, është vendosur nën masa të rrepta të izolimit për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar. Deri më tash, në shtetin e largët kanë vdekur shtatë persona, prandaj autoritetet e kanë aktivizuar alarmin e kuq.

Virusi i ri ka vazhduar të përhapet edhe në Lindjen e Mesme, përfshirë Afganistanin, Kuvajtin dhe Iranin, shkruan “Reuters”.

Sidoqoftë, pak stabilitet për tregun e karburanteve ofroi vendimi i katër provincave kineze për lehtësimin e masave të izolimit.

(Kosova Sot Online)