Inkubacioni i koronavirusit mund të zgjasë më shumë se 14 ditë

  • 24 February 2020 - 15:06
Inkubacioni i koronavirusit mund të zgjasë më shumë se 14 ditë

Ekzistojnë disa shenja se periudha e inkubacionit për koronavirusin mund të jetë shumë më e gjatë se 14 ditë për shkak se disa pacientë janë diagnostikuar me këtë virus edhe pas qëndrimit në karantinë, thonë hulumtuesit.

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se dritarja e mundësisë për ndalimin e koronavirusit është duke u ngushtuar, shkruan “The Washington Post”.

Në anën tjetër, presidenti kinez, Xi Jinping, ka deklaruar se gjendja në epiqendrën e virusit, në qytetin Wuhan, vazhdon të mbetet e ndërlikuar dhe ka pranuar se koronavirusi pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në ekonomi.

Për shkak të rritjes së rasteve që nuk kanë lidhje me Kinën, ekspertët e sëmundjeve ngjitëse besojnë se koronavirusi shpejt mund të shndërrohet në pandemi dhe do të jetë e pamundur që të kontrollohet.

Ndërkohë në botë po vazhdon të shtohet numri i rasteve. Nëntë turistë nga Koreja Jugore, të cilët shkuan në Izrael dhe në Bregun Perëndimor, doli të jenë të infektuar me koronavirus. Autoritetet izraelite dhe palestineze kanë kërkuar nga të gjithë njerëzit që kanë rënë në kontakt me këta turistë të paraqiten në spital ose të vetëizolohen.

(Kosova Sot Online)