Apeli ia vërteton dënimin prej 18 vjet e gjashtë muaj burgim të dënuarit për vrasjen e shokut

  • 24 February 2020 - 15:53
Apeli ia vërteton dënimin prej 18 vjet e gjashtë muaj burgim të dënuarit për vrasjen e shokut

Apeli ia vërteton dënimin prej 18 vjet e gjashtë muaj burgim të dënuarit për vrasjen e shokut

Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimin prej 18 vjet e gjashtë muaj burgim, të akuzuarit për vrasjen e shokut në Bresalc të Gjilanit, Liridon Uruqit. 

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Apeli ka njoftuar se i ka refuzuar ankesat në këtë rast dhe se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan është vërtetuar. Sipas  këtij aktgjykimi, ai është dënuar më dënim unik prej  18 vjet e 6 amuj burgim, pasi që është shpallur fajtor për veprat penale “Vrasje” dhe “Kanosje”.

“Gjykata e Apelit gjeti se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale. Po ashtu vlerëson  se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit nga ana e gjykatës së shkallës së parë,  është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe shkallës së përgjegjësisë penale të akuzuarit si ekzekutor, dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i përcaktuar më ligj”, thuhet në komunikatë.

Ndaj Uruqit, Prokuroria e Gjilanit ka ngritur aktakuzë në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri me veprim të drejtpërdrejtë dhe me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Fatlind Arifi, në atë mënyrë që me revole ka gjuajtur në drejtim të tij, të cilin e godet në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast nga plagët e marra i njëjti nuk ka mbijetuar dhe ka ndërruar jetë duke e dërguar në spital.

Ekipi i medias në kohën kur kishte ndodhur vrasja kishte qëndruar në familjen e viktimës dhe të dyshuarit. Familjarët ishin shprehur të tronditur nga kjo ngjarje, derisa kishin thënë se nuk i dinë arsyet që quan deri tek kjo vrasje.”Nuk e dimë se çka ka ndodhë. Fatlindi doli si çdo natë tjetër. E sot na u kthye në arkivol. Nuk dimë asgjë nuk dimë”, kishin thënë nga familja e të ndjerit.

Derisa nga fqinjët, Fatlindi ishte përshkruar si djalë i qetë dhe jo problematik.

“U kanë i urtë. Kurrë sherr nuk ka pas më askënd. Njihet si djalë punëtor. Janë mundu shumë ai bashkë më babën e tij për me ba punë të mira’, thotë kushëriri i të ndjerit.

Por, sipas shokëve të viktimës dhe dorasit e gjithë ngjarja kishte ndodhur aksidentalisht. Edhe në familjen e të dyshuarit kishin thënë se e gjithë ngjarja kishte ndodhur aksidentalisht.

(Kosova Sot Online)