Thaçi: BE po vonohet me Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor

  • 25 February 2020 - 09:00
Thaçi: BE po vonohet me Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pasur një takim me ekspertët e Brookings Institute, një nga think-tanket më të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët ka folur për perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Presidenti Thaçi u shpreh se roli i SHBA-së mbetet i pazëvendësueshëm në përpjekjet për të arritur paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe shtoi se Kosova është e lirë dhe e pavarur, por storia e suksesit të Kosovës do të mbyllet kur vendi të integrohet në NATO dhe në BE.

Po ashtu, presidenti Thaçi tërhoqi vërejtjen se BE-ja është duke u vonuar me Kosovën dhe me tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo po e lëndon besimin në institucionet e BE-së dhe po e zvogëlon fuqinë e BE-së për të ndikuar në rajon.

“Marrëveshja përfundimtare për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelës për paqen, stabilitetin, për zhvillimin ekonomik dhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe tërë rajonit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Brookings Institute është ndër think-tanket më me ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa bisedimet me ekspertë të këtij instituti ndikojnë në rekomandimet për vendimmarrje dhe politika në Uashington

(Kosova Sot Online)