Konfirmohet rasti i parë i koronavirusit në jug të Italisë

  • 25 February 2020 - 11:33
Konfirmohet rasti i parë i koronavirusit në jug të Italisë

Autoritetet italiane njoftuan të martën se një person është infektuar me koronavirus në pjesën jugore të vendit, që e paraqet rastin e parë në këtë pjesë pasi të gjitha rastet tjera ishin shënuar në pjesën veriore.

Një grua nga Bergamo, e cila ishte për pushime me miqtë në Sicili, është vërtetuar se ka koronavirus. Pacientja nuk është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në spitalin Cervello të Palermos.

Ajo kishte qenë për pushime në Palermo që para kohës së përhapjes së koronavirusit. Bashkëshorti dhe miqtë e saj janë vendosur në karantinë për së paku 15 ditë. 

Deri më tash, shtatë persona kanë vdekur dhe mbi 220 janë infektuar. Të gjithë personat e vdekur kishin edhe probleme të tjera shëndetësore, shkruan “The Guardian”.

Të hënën, kryeministri italian, Giuseppe Conte, tha se koronavirusi është përhapur në një spital, pa ia saktësuar emrin, për shkak se aty nuk janë respektuar masat e sigurisë.

Ai shtoi: “Ndikimi ekonomik i virusit mund të jetë shumë i fuqishëm. Në këtë moment, mund të llogarisim se do të ekzistojë një ndikim negative ekonomik, por nuk jemi në pozitë për të parashikuar se çfarë do të ndodhë më vonë.”

(Kosova Sot Online)