Ministrja britanike për Evropë: Do të punojmë me Kryeministrin Kurti

  • 25 February 2020 - 11:48
Ministrja britanike për Evropë: Do të punojmë me Kryeministrin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Londër të hënën është takuar edhe me ministren e Britanisë së Madhe për Fqinjësi me Evropën dhe Amerikën, Wendy Morton.

Njoftimin për takimin e ka dhënë vetë Morton gjatë të hënës, duke përsëritur faktin se Kosova dhe Britania e Madhe gjithmonë kanë qenë miq shumë të fortë.

“Kosova dhe Britania e Madhe kanë qenë gjithmonë miq të fortë. Ishte kënaqësi që ta takoja kryeministrin e ri, Albin Kurtin, me të cilin folëm se si mund të punojmë së bashku dhe si qeveria e tij do të vazhdojë përpara me reforma të rëndësishme”, kishte shkruar Morton.

Ndërkohë njoftimi për takim është shpërndarë sot edhe nga faqja e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë.

“Kryeministri Kurti është takuar me ministren e Britanisë së Madhe për Fqinjësi me Evropën dhe Amerikën, Wendy Morton, përgjatë vizitës së djeshme në Londër”, thuhet në shkrimin e ambasadës.

(Kosova Sot Online)