Kryetari i Preshevës: Duam të bashkohemi me Kosovën, kemi 3 kushte

  • 25 February 2020 - 17:50
Kryetari i Preshevës: Duam të bashkohemi me Kosovën, kemi 3 kushte

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka thënë se Lugina e Preshevës dëshiron që të bashkohet me Kosovën, megjithatë ka përmendur 3 kushte për t’u realizuar një bashkim i tillë.

Arifi ka thënë se në rast vendoset për bashkim, atëherë duhet t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës të tri komunat e Luginës, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, pa u ndarë asnjëra.

“Qëllimi jonë është që të jemi pjesë e Kosovës nëse përmbushen 3 kushte. E para, ne nuk duam që të na ndajnë. Lugina e Preshevës përbëhet nga Komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit. Ne nuk duam që një komunë të mbetet në Serbi dhe dy tjerat të bashkohen. Ne nuk duam të jemi pjesë e pazareve me territore. Nëse bashkohemi, bashkohemi si tërësi, nëse mbesim, mbesim si tërësi”, ka thënë Arifi.

Si kusht të dytë e ka përmendur që ndarja të mos bëhet afër qyteteve.

Ndërsa si kusht të fundit, Shqiprim Arifi, përmend koordinimin me SHBA’në dhe Evropën. Ai thotë që nuk marrin kurrfarë vendimi pa  pasur mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit.

(Kosova Sot Online)