Profesori i njohur flet për dy vendimet e Lumir Abdixhikut, ja thirrja e tij

  • 25 February 2020 - 19:18
Profesori i njohur flet për dy vendimet e Lumir Abdixhikut, ja thirrja e tij

“Paralelisht do të duhej bashkërenditur dhe bashkëvepruar aktivitetet e tilla me institucionet e Sistemit të Drejtësisë. Kushdo e kurdo që do të vepronte në funksion të zbatimit të ligjit "Dura Lex Sed Lex", do të kishte mbështetjen e përgjithshme e tok me të edhe besimin dhe autoritetin e merituar”, thotë Smaka për “Kosova Sot Online”

 

Analistët politikë kanë reaguar pas dy vendimeve të rëndësishme që ka marr në këtë fillim mandati Ministri i Infrastrukturës , Lumir Abdixhiku. 

Ministri Abdixhiku mori vendimin për anulimin e tenderit 110 milionësh për autostradën Prishtinë-Gjilan, dhe vendimin tjetër akoma më i rëndësishëm, ai për ndalimin e ndërtimit të lagjes së vilave në afërsi të liqenit të Badovcit.  

“Duke u thirrur në Ligjin për Ujërat e Kosovës, mbështetur në Vendimin e Qeverisë për zonat e mbrojtura në Liqenin e Badovcit, Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka obliguar Komunën e Prishtinës që të bëjë anulimin e vendimit për kushtet ndërtimore për rastin e lagjes në afërsi të Badovcit. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar t’i mbrojë resurset natyrore të vendit. Mbi të gjitha, është e interesuar të dëgjojë zërin e padëgjuar të aktivimit qytetar, që këtë herë ishte përcaktues në ngritjen e alarmit me kohë”, ka shkruar Abdixhiku.

Image
Riza Smaka

Ky veprim i Ministrit Abdixhiku është mirëpritur dhe vlerësuar për mbështetje të fuqishme, politike e qytetare edhe nga profesori i së drejtës, Riza Smaka.

“Le ta mbështesim ministrin Abdixhiku e të tjerët që kanë gatishmëri, përgjegjësi politike që të veprojnë energjikisht kundër akteve, punëve e veprimeve të kundërligjshme”, thotë profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Smaka bënë thirrje që duke qenë në krye të detyrës për zbatimin e ligjit dhe të së drejtës, në raste të tilla të ngjashme të veprohet edhe me rastet tjera, pa përjashtim.

“Duke bashkëpunuar të gjitha institucionet relevante për zbatimin e ligjit, për të hetuar edhe raste të tjerë të lëshimit të lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjin dhe që ndikojnë në rrezikimin e ambientit, sikur që është ndezur alarmi për Liqenin e Badovcit. Paralelisht do të duhej bashkërenditur dhe bashkëvepruar aktivitetet e tilla me institucionet e Sistemit të Drejtësisë. Kushdo e kurdo që do të vepronte në funksion të zbatimit të ligjit "Dura Lex Sed Lex", do të kishte mbështetjen e përgjithshme e tok me të edhe besimin dhe autoritetin e merituar”, thotë profesor, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)