Mijëra qytetarë heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës

  • 25 February 2020 - 19:37
Mijëra qytetarë heqin dorë nga nënshtetësia e Kosovës

Më shumë se pesë mijë qytetarë të Kosovës, sipas të dhënave zyrtare, kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare vetëm në vitin 2019. Kjo shifër po konsiderohet shqetësuese, pasi që nënkupton që këta persona nuk e shohin Kosovën më si shtet të tyre.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, qytetarët e Kosovës të cilët kanë hequr dorë nga nënshtetësia dhe kanë zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian për të marrë shtetësinë e re, janë detyruar të ndërmarrin këtë veprim ngase disa shtete nuk e lejojnë dyshtetësinë.

“Gjate periudhës janar-dhjetor 2019, në Divizionin e Shtetësisë janë marrë 5461 vendime për lirim nga shtetësia. Prej tyre 5394 janë vendime pozitive, 67 vendime negative. Nënshtetësitë që marrin më së shumti qytetarët e Kosovës, janë nënshtetësia gjermane, austriake, sllovene e të tjera”, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Sipas të dhënave, mesatarisht në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5,000 mijë qytetarë. Trendi i lirimit nga nënshtetësia ka shënuar ngritje nga viti 2014.

Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë se nëse analizohen trendet ndër vite të heqjes dorë nga shtetësia e Kosovës, atëherë shihet se kemi rritje të kësaj dukurie, të cilën ai e quan si shqetësuese.

“Duhet të fokusohemi edhe tek shkaku pse po largohen dhe pse po heqin dorë nga shtetësia e Kosovës këta qytetarë. Nëse iu referohemi statistikave të Bankës Botërore, sipas raporteve të tyre, papunësia tek të rinjtë (në Kosovë) është diku rreth 50 për qind, derisa gjysma e popullsisë në Kosovë është nën moshën 30 vjeçare dhe trendi është i njëjtë në 5 vjetët e fundit”.

“Po ashtu, nuk ka indikatorë që tregojnë se ky trend është duke u zvogëluar, prandaj shumë qytetarë, në veçanti të rinjtë, po e shohin si zgjidhje emigrimin nga Kosova dhe në momentin që ata e kanë mundësinë që të bëhen shtetas të ndonjë prej vendeve të BE-së, e bëjnë atë dhe heqin dorë nga shtetësia e Kosovës”, thotë Xhambazi.

Ai shton se nëse analizohen të dhënat e heqjes dorë nga nënshtetësia e Kosovës nga viti 2014 – 2016, ka një trend të rritjes dhe atë për 20 për qind.

“Nëse i marrim shifrat që nga viti 2009, një vit pas shpalljes së pavarësisë, vërejmë që kemi një total prej 40 mijë qytetarëve të Kosovës që kanë hequr dorë nga nënshtetësia. Kjo nuk ndodhë vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit”, thotë ai.

Të dhënat ndër vite të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë treguar për numër të madh të qytetarëve të cilët po e lëshojnë Kosovën. Në dekadën e fundit më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin.

Vendet ku qytetarët e Kosovës kanë emigruara më së shumti gjatë viteve 2010 – 2018 janë Gjermania, Franca, Austria, Kroacia e shtete të tjera.

(Kosova Sot Online)