Sot është ditëlindja e aktivistit, Astrit Dehari, do t’i mbushte 30 vjet

  • 26 February 2020 - 08:58
Sot është ditëlindja e aktivistit, Astrit Dehari, do t’i mbushte 30 vjet

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, po të ishte gjallë, sot do t’i mbushte 30 vjet. Tanimë i ndjeri, Dehari, ishte lindur më 26 shkurt 1990.

Ai sot ka ditëlindjen.

Dehari ka vdekur në rrethana ende të panjohura në burg të Prizrenit, më 5 dhjetor 2016.

Ai së bashku me gjashtë të akuzuar të tjerë për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, u arrestuan në gusht të 2016-s.

Por ai gjeti vdekjen brenda qelisë së tij.

Këshilltari politik, Erzen Vraniqi, i kryeministrit Albin Kurti, e ka kujtuar Deharin në ditëlindjen e tij me një thënie të Kurtit, të vitit 2018.

“Sot, më 26 shkurt, në ditëlindjen e Astrit Deharit, nëse duam që koha e heronjve dhe e dëshmorëve të lihet pas, duhet të kuptojmë se kjo nuk arrihet pa e rrëzuar në të njëjtën kohë, edhe tiraninë pushtetare, edhe indiferencën qytetare. 

E sot, i urojmë ditëlindjen edhe Adem Demaçit, heroit të gjallë të qëndresës dhe mospërkuljes përballë çdo pushteti tiran e gjakatar.

(Albin Kurti, 26 shkurt 2018)”, ka shkruar ai në Facebook.

Kujtojmë se ekspertiza mbi vdekjen e e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, i cili u gjet pa jetë në qendrën e paraburgimit në Prizren, së fundmi është bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë.

Në konkluzionet e raportit përfundimtar thuhet se “në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. Dehari Astrit, përmes mjeteve të caktuar nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë duhet të kihet parasysh”.

Tanimë, rasti i Astrit Deharit ka kaluar nga Prokuroria Themelore në Prizren në juridiksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

(Kosova Sot Online)