Koronavirusi arrin në Amerikën Jugore, konfirmohet një rast në Brazil

  • 26 February 2020 - 09:09
Koronavirusi arrin në Amerikën Jugore, konfirmohet një rast në Brazil

Në Amerikën Jugore është shënuar rasti i parë i koronavirusit. Personi i infektuar është një banor i Brazilit, i cili ishte kthyer nga Italia.

Mediet lokale në Brazil raportuan të martën se personi i infektuar është një burrë 61-vjeçar, i cili para disa ditëve kishte qenë në pjesën veriore të Italisë, ku janë konfirmuar më së shumti raste të koronavirusit në atë shtet.

Ky person u kthye në kohën kur në Brazil mbahen shumë karnavale dhe kur miliona njerëz udhëtojnë nëpër pjesë të ndryshme të vendit. Zyrtarët po frikësohen se koha e kthimit të tij mund të ketë ndikuar në përhapjen e mëtejme të virusit nga ky person.

Italia është bërë vendi më i goditur evropian nga koronavirusi me më shumë se 300 persona të infektuar dhe 11 të vdekur. Megjithatë, shtetet fqinje ende nuk kanë vendosur që t’i mbyllin kufijtë me Italinë, ndonëse i kanë shtuar masat e kontrollit, shkruan “BBC”. 

Sidoqoftë, numri më i madh i personave të vdekur dhe të infektuar po vazhdon të shënohet në Kinë. Sipas të dhënave më të reja, të publikuara të mërkurën, në 24 orët e fundit kanë vdekur 52 persona, ndërsa numri i personave të infektuar ka shkuar në mbi 78 mijë.

Infektimet e reja brenda një dite kanë shënuar rënie në Kinë. Për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë është më e përqendruar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit në pjesët tjera të botës.

Jashtë Kinës, shtetet me më së shumti persona të infektuar deri më tash janë Koreja Jugore, Italia dhe Irani.

(Kosova Sot Online)